Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar burg me kohë të pacaktuar për asamblistin e Vetëvendosjes, Besnik Mujeci dhe grupin e tij, të cilët u kapën me mbi 11 mijë doza ekstazi me vlerë rreth 400 mijë euro në Shqipëri.
Sipas mediave shqiptare, Besnik Mujeci, Mithat Ramadani, , Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdija do të hetohen nga burgu.
Mujeci dhe të tjerët, hfrytëzonin fluksin e sezonit për të transportuar lëndën narkotike përmes një linje autobusëve Prishtinë-Tiranë.
Minatorët e “Trepçës” në grevë, thonë se nuk punojnë deri në ekzekutimin e pagave
Lëndët narkotike kishin për qëllim shpërndarjen në zonë e bregdetit shqiptar.
Lajmin për arrestimin e kishte konfirmuar edhe Policia e Shqipërisë në një komunikatë të gjatë për media, raporton Nacionale.
“Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit: Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Mujecit dhe të arrestuarëve të tjerë u janë gjetur 11 mijë e 300 tableta ekstazi me peshë 5kg në vlerë 400 mijë euro.
Mujeci është asamblist i partisë në pushtet, Vetëvendosje, në komunën e Prishtinës. Ai ishte zgjedhur asamblist për herën e dytë.
“Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Plani për shpërndarjen e kësaj sasie ekstazie ishte i detajuar. Policia ka bërë të ditur se droga futej nga Kosova në Shqipëri me autobusë, duke shfrytëzuar sezonin turistik.
Pasi dërgesat shkonin në Shqipëri, shpërndaheshin nëpër vende bregdetare.
“Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
“Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar maksimalisht për të parandaluar dhe luftuar veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shpërndarjes së drogave të lehta dhe të forta”, përfundon komunikata.
Mediat në Shqipëri kanë zbuluar detaje, sipas të cilave policë të ndryshëm ishin infiltruar si klientë.
“Ajo që binte në sy nga ky operacion është që janë vëzhguar nga agjentët e antidrogës me metoda speciale edhe në terren. Në disa raste janë bërë edhe blerje të stimuluara duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor, çka do të thotë që në disa raste punonjësit e policisë kanë qenë të infiltruar si klientë kryesisht në lokalet e natës dhe në zonën e ish Bllokut. Ajo që vinte në sy gjatë përgjimeve dhe mbajtjes në vëzhgim nga agjentët, ka rezultuar se këta persona por edhe të tjerë që janë bashkëpunëtorë, gjatë muajve të verës kanë shitur këto doza ekstazi edhe në zonat e plazhit. Konkretisht, në zonën e Himarës po Dhërmiut.“, theksoi gazetarja e ABC News.