Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Leutrim Gashi, ka komentuar deklaratën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ku i dha ultimatum vrasësit të dorëzohet, duke thënë se ishte skandaloze.
Gjithashtu, lidhur me vrasjen e trefishtë në Deçan, Gashi tha se me këtë rast është dashur të merrej Prokuroria Specale.
“Ajo që ka qenë shqetësuese në ditën kur ka ndodhur vrasja ka qenë mos reagimi me kohë i prokurorit të shtetit që është në ndjekjen penale e që është Prokuroria Speciale… Ligji për Prokurorinë Speciale është i vitit 2008 e përcakton që edhe vrasjen e rëndë si mundësi që kjo prokurori ta marrë në kompetencë, për arsye se ky ligj e përcakton se vrasja e rëndë dhe vrasja është janë si forma të veçanta dhe si alternativë që në rast se rasti dhe forma si ka ndodhur vrasja është e komplikuar atëherë Prokuroria Speciale si organ i specializuar mund ta marrë një rast të tillë në kompetencë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë Gashi.
Sipas Gashit vrasja ka qenë e planifikuar pasi vendi ku është kryer vepra, ka qenë vend jo shumë i frekuentuar.
“Rasti definitivisht ka mundur të jetë me paramendim dhe që të mos zbulohet pasi kemi të bëjmë me një vend rural, malor dhe në bazë të asaj që është thënë deri tash person ka qenë i maskuar dhe kjo e vështirëson akoma më shumë zbulimin e rastit”, ka shtuar ai.
Gashi tha se u është dhënë shumë rëndësi deklaratave të kryeministrit e ministrit të Brendshëm, duke e quajtur edhe skandaloze deklaratën e Sveçlës për ultimatumin e dhënë për kryesin e vrasjes së trefishtë.
“Më shumë është duke iu dhënë rëndësi deklaratave të kryeministrit, deklaratave të ministrit që ata të vetmen gjë që duhet të bëjnë është mbështetja për organet e drejtësisë, në këtë rast për organet e ndjekjes e jo që fokus kryesor i opinionit publik të orientohet në këto deklarata. Definitivisht skandaloze është deklarata e ministrit Sveçla që jep ultimatume për personin që e ka kryer veprën, po të ishte kështu atëherë pse të ekzistojë prokurori i shtetit e policia”, ka thënë ai.
Ai shtoi se prokuroria speciale do të duhet ta menaxhonte dhe ta udhëhiqte hetimin e rastit dhe të dilnin më shumë se tre prokurorë në vendin e ngjarjes, pasi sipas tij 72-orëshi i parë i ngjarjes është më i rëndësishmi për grumbullimin e provave që çojnë te të dyshuarit kryesorë.
“Nëse nuk i kushtohet rëndësi e madhe një rasti të tillë në fillim të procedurës edhe fundi nuk mund të sjellë rezultate konkrete”, ka vazhduar ai.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla me 27 nëntor i kishte dhënë ultimatum vrasësit që të dorëzohet.
“ Unë i bëjë ultimatum vrasësit që të dorëzohet. Kushdo që ndihmon vrasësit implikohet në vepër të rëndë penale. Sa më parë që dorëzohet aq më mirë për rrethin e tij dhe gjithë qytetarët e Kosovës”, kishte thënë Sveçla.
Kujtojmë që rreth 2 javë më parë tre persona mbeten të vrarë, kur një autobus u godit me plumba të kallashnikovit. Të vrarë mbetën dy nxënës dhe shoferi i autobusit. /Botapress/