Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, herën e fundit që u takuan ishte 18 marsi, por kësaj radhe takimi ndodhi në Ohër të Maqedonisë Veriore dhe jo në Bruksel, si rëndomë. Ky takim ndodhi pas pranimit zyrtarisht të propozimit të Bashkimit Evropian më 27 shkurt në Bruksel.
E së fundmi,nëpër media u raportua se takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, parashihet të mbahet më 2 maj – megjithatë këtë datë nuk e kanë konfirmuar nga zyra për media e Bashkimit Evropian.
ZRrE s’tregon si do të kompensohen qytetarët që u faturuan për rrymën në veri
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Nabila Massrali nuk konfirmoi nëse ka ndonjë informacion të ri për mundësinë e dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Në një përgjigje për Sinjalin, ajo potencoi se lidhur me këtë çështje do të njoftojnë kur të jetë koha e përshtatshme.
“Nuk mund të konfirmojmë asgjë akoma. Ne gjithmonë japim lajmin kur ta shohim të duhur”, tha Massrali.
Ndryshe, më 4 prill, në Bruksel u ftuan kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ku temë bazë ishte aneksi i zbatimit të marrëveshjes dhe çështja e të pagjeturve.
Bislimi tha se në takim, ideja e emisarit Miroslav Lajçak ishte që të ketë një sekuencim të zbatimit të obligimeve në mënyrë që të mos krijohet disbalancë.
“Është propozuar një princip sipas të cilit nuk mund të fillohet implementimi i të gjitha pikave njëherësh për arsye se kjo do të mund të krijonte një disbalanc ku njëra palë merr shumë dhe nuk është e detyruar të ofrojë diçka, por ideja e Lajçakut është që të ketë sekuencim, pra njëra palë bën diçka pastaj pala tjetër”, kishte deklaruar Bislimi një ditë pas takimit.
Po të njëjtën ditë, zëvendëskryeministri njoftoi se në takimin e ardhshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit, do të prezantohet një draft i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i dakorduar të hartohet nga Ekipi Menaxhues.
“Propozimi ka qenë që të prezantohet [draft-Statuti i Asociacionit] më 22 prill. Meqë Serbia ka thënë se Vuçiqi nuk mund të vijë, kemi mbetur të dakordohemi për një datë alternative, por do të jetë në prill”, ka deklaruar Bislimi.
Ndërsa Petkoviq kishte deklaruar se janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, e cila, sipas tij, do të miratohet zyrtarisht në një takim të nivelit të lartë – mes kryeministrit të Kosvës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”, tha Petkoviq.
Petkoviq tha se është biseduar edhe për formimin e Asociacionit me shumicë serbe.
“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”, shtoi Petkoviq.
Ai tha se ka pasur bisedime edhe për energjetikën dhe se është rënë dakord që bisedimet e mëtutjeshme të zhvillohen me KEDS-in për shërbimet e distribucionit.
Petkoviq tha se ka vënë në dukje shkeljen e marrëveshjes për targa.
“Ne dolëm me propozime konstruktive, Prishtina tani për tani ka refuzuar. Gjëja më e rëndësishme është të insistojmë në mënyrë paqësore”, shtoi ai.
Në samitin e mbajtur më 23 dhe 24 mars në Bruksel, liderët e BE-së kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur nga liderët e Kosovës dhe Serbisë, dhe u kanë bërë thirrje të dyja palëve të “përmbushin obligimet e tyre në mënyrë të shpejtë dhe në mirëbesim”.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.