Ngacmimet, sulmet dhe dhuna seksuale ndaj vajzave dhe grave në Kosovë është shndërruar në fenomen shqetësues, pasi që pothuajse çdo ditë raportohen raste të tilla. Të dyshuarit shpesh herë janë persona të afërt të cilët ishin ose janë në lidhje dashurie.
Një ngjarje e trishtë dyshohet të ketë ndodhur së fundi në Vaganicë të Mitrovicës, ku një vajzë e re ka raportuar në Polici se është dhunuar seksualisht nga ish i dashuri i saj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 23:00, ku pasi është takuar me të dyshuarin me të cilin ka bashkëjetuar një kohë, i njëjti e ka dërguar në një motel në Mitrovicë.
Bazuar në dëshminë e 20-vjeçares, i dyshuari e ka detyruar që të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Pas ekzaminimeve mjekoligjore, në trupin e viktimës janë vërejtur shenja dhune, si gërvishtje në duar.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 32-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.