“Të premtosh” ka qenë gjithmonë e lehtë për opozitarin e dikurshëm, por tani edhe për kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurtin.
Mes shumë premtimeve, më 25 nëntor të vitit 2022, kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, kishte paralajmëtar se njohja reciproke mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, do të vinte në pranverën e vitit 2023.
34-vjeçari në Podujevë u gjuajt rreth 8 herë, dorasi e qëlloi me dy armë
Ai e kishte thënë këtë në një intervistë për televizionin malazez “Gradska”, në emisionin “Aritmia”, me autore Tamara Nikçeviç.
“Që nga 9 shtatori i këtij viti, ne kemi një model në të cilin do të mbështetemi gjatë negociatave tona të ardhshme, të cilat duhet të fillojnë menjëherë”, kishte pohuar Kurti, duke shtuar se marrëveshjen e pret brenda pranverës së vitit të ardhshëm.
“Normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund të kemi një marrëveshje, një marrëveshje që është ligjërisht e detyrueshme ndërkombëtarisht dhe në të cilën në fokus kemi njohjen reciproke. Ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe tani kemi një afat që ajo njohje reciproke të zbatohet diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo është marrëveshja që është arritur mbrëmë dhe që Serbia e ka pranuar”, deklaronte Kurti në fund të vitit 2022.
POR, ÇFARË NDODHI NË PRANVERËN E VITIT 2023?
Edhe përkundër premtimit të kryeministrit Kurti, njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk erdhi me ardhjen e pranverës.
Vetëm dy-tri ditë para hyrjes zyrtare në stinën e pranverës së vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u dakorduan më 18 mars në Ohër për Aneksin, si pjesë integrale e Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Njoftimi se palët ishin dakorduar për zbatimin e propozimit evropian, i njohur edhe si propozimi franko-gjerman, u dha zyrtarisht edhe nga shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell.
Edhe pse palët nuk kishin nënshkruar, sipas Borrell, “aneksi konsiderohet i miratuar me një deklaratë që do të publikohet”. Kjo gjë ndodhi shpejt dhe sipas nenit 2 të Deklaratës së BE-së “Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”.
Pavarësisht deklaratave të kryeministrit Kurti se me këto marrëveshje, Serbia po e njeh de-facto Kosovën, një gjë e tillë është hedhur poshtë nga vetë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili ka thënë se me marrëveshjen e 27 shkurtit dhe më pastaj të 18 marsit “nuk ka njohje formale dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës”.
Kjo deklaratë e Bislimit ka hedhur poshtë edhe propagandën disamujore të tre drejtuesve shtetërorë, presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca, të cilët njëzëri e vlerësonin rezultatin e Brukselit dhe Ohrit si një njohje de-facto të shtetit të Kosovës nga Serbia.
Kurti do të rikthehet në dialog me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 14 shtator në Bruksel. /Botapress.info/