Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe deputetët, Arben Gashi, Avdullah Hoti dhe Armend Zemaj dyshohet se janë kërcënuar dhe ndaj tyre është planifikuar atentat, që sipas informacioneve të para lidhet me motive politike. Nga Policia deklaruan për Sinjalin se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin në fjalë, teksa rasti u konfirmuar edhe nga partia
Por si u zbulua rasti dhe kush është i dyshuari?
Sinjali mëson se kërcënimi ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve është zbuluar nga Shërbimi Sekret i Gjermanisë dhe i dyshuari është shqiptar.
Edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kujtim Shala, ka konfirmuar planin për atentat ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Shala nuk ka dhënë emrat e deputetëve që ishin pjesë e kësaj liste për atentat, që sipas tij, po përgatitej nga dy organizata dhe ka të bëjë me atak politik ndaj LDK-së si kundërshtar.
“Nuk dimë shumë sepse është vetëm fillimi. Informacionet I kemi marrë sot. S’ka të bëj me një aktivitet konkret, por ka të bëj të bëj me një lloj ataku kundër kundërshtarëve politik dhe më saktësisht kundër kundërshtarit politik kryesor sot që është LDK. Mos më kërkoni më shumë”, ka thënë Shala për RTV Dukagjinin.
Kush janë zyrtarët e lartë të LDK-së që u kërcënuan për motive politike -Ja emrat
Shala nuk e ka mohuar që atentati i planifikuar të jetë i lidhur me subjekte politike.
“Po natyrisht, sepse kundërshtar politik jashtë Kosovës nuk kemi. Dhe kjo shkon përtej LDK-së”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për një rrjet njerëzish qe veprojnë në Kosovë dhe disa vende të BE-së.
“Mund të konfirmoj që është një rrjet njerëzisht në Kosovë dhe disa vende të BE-së dhe pretendohet për dy organizata, njëra nga të cilat pretendohet që vepron në Kosovë tjetra jashtë Kosovës dhe ajo jashtë Kosovës ka marrë përsipër që të financojë ekzekutimin e këtij plani”, ka deklaruar tutje ai.
Ai ka dhënë detaje edhe për mënyrën se si është identifikuar ky grup njerëzish, ende i panjohur.
“Për një lloj planifikimi, për një rrjet njerëzish të lidhur me organizata në Kosovë dhe shtete të tjera të BE-së dhe jashtë territorit të Evropës. Individë të cilët, kanë rënë në përgjime të një prej agjencive inteligjente kryesore të bashkimit Evropian. Dhe nga ajo që na është thënë ne, del që ka pasur një plan të strukturuar për këtë gjë. Nuk mund të jap shumë informacione, natyrisht”, ka thënë Shala.
“Nga informacionet që kemi marrë ne dhe që bazohen në përgjimet për të cilat po flas unë, motivi është pastërtisht politik. Ne sot kemi njoftuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera t rendit dhe miqtë tanë dhe institucionet ndërkombëtare. Ne informacionet I kemi marrë një një burim nga një agjenci inteligjente evropiane”, ka thënë ai.