Çmimi i rritur i derivatet e naftës shkaktoi debate të gjata dje në Kuvendin e Kosovës, ku opozita kërkonte heqjen e TVSH-së dhe akcizës për këto produkte, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kundërshtonte një gjë të tillë.
Deputetët e opozitës argumentuan se rritja e çmimit ndodh edhe për shkak të mosveprimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës tha se kjo nuk është hera e parë që qeveria e le inflacionin të shpërthejë.
“Po kalojmë në një valë të re të rritjes së çmimeve. Dhe kjo rritje e çmimeve nuk po vjen vetëm nga jashtë, po vjen nga brenda si pasojë e mosveprimit të kësaj qeverie. Dhe kjo nuk është hera e parë. Ngjashëm ka ndodhur në vitin 2022. Edhe atëherë e lat inflacionin të shpërthejë lirshëm, ndërsa qytetarët i latë të vetëm të ballafaqohen me rritjen e çmimeve”, deklaroi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, kritikoi qeverinë për moskujdes për zhvillimin ekonomik dhe standardin e jetesës, duke theksuar se veprimet e saj synojnë vetëm përfitime politike.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se qeveria kishte marrë vetëm një masë të kufizuar për përcaktimin e marzhës së fitimit për bizneset e derivateve, të cilën e konsideroi jo adekuate. Ai theksoi se çmimi i furnizimit të naftës mes datës 2 dhe 3 prill është rritur me 14%, dhe masa e qeverisë nuk parandalon që bizneset ta bartin rritjen tek konsumatori.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kritikon qeverinë për papërgjegjshmëri. Deputeti Besnik Tahiri tha se qeveria tenton të viktimizohet brenda kabinetit, ndërsa nuk ofron zgjidhje reale për qytetarët.
Në anën tjetër, pushteti argumentoi se heqja e TVSH-së dhe ulja e akcizës nuk është zgjidhje e thjeshtë. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, theksoi se vendime të tilla mund të sjellin dëm të madh dhe se duhet të bëhen analiza të kujdesshme për të ruajtur mirëqenien e qytetarëve.
Hekuran Murati, ministër i Financave, theksoi se heqja e TVSH-së dhe ulja e akcizës do të kishin efekt të vogël për qytetarët, por humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se kërkesat për heqjen e akcizës dhe TVSH-së janë të përsëritura dhe se ai nuk ka vepruar asnjëherë në këtë drejtim. Ai gjithashtu theksoi se inflacioni është i importuar dhe jo burimor për Kosovën.
“Inflacioni është i importuar, nuk është burimor. Nëse do të ishte burimor ne do të mbanim kryekëput përgjegjësi. Por inflacioni është i importuar. Dhe kjo ndodh për shkak se, në Ngushticën e Hormuzit, anijet nuk janë me qymyr por janë me naftë. E qysh e dini gjithë ju, Kosova nuk ka burime të naftës”, tha Kurti.



Të tjera
Aktuale
E rëndë: Një 12-vjeçar shqiptar humb jetën pasi rrëzohet nga dritarja e një ndërtese
Një ngjarje e rëndë është regjistruar
Lajme
Rruga Pejë – Kullë Rozhajë e pakalueshme për kamionë për shkak të borës
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka
Aktuale
Çka ndodhi në Kuvend: Kurti u shfajësua për inflacionin, opozita kërkoi heqjen e TVSH-së
Çmimi i rritur i derivatet e