Çmimi i rritur i derivatet e naftës shkaktoi debate të gjata dje në Kuvendin e Kosovës, ku opozita kërkonte heqjen e TVSH-së dhe akcizës për këto produkte, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kundërshtonte një gjë të tillë.
Deputetët e opozitës argumentuan se rritja e çmimit ndodh edhe për shkak të mosveprimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës tha se kjo nuk është hera e parë që qeveria e le inflacionin të shpërthejë.
“Po kalojmë në një valë të re të rritjes së çmimeve. Dhe kjo rritje e çmimeve nuk po vjen vetëm nga jashtë, po vjen nga brenda si pasojë e mosveprimit të kësaj qeverie. Dhe kjo nuk është hera e parë. Ngjashëm ka ndodhur në vitin 2022. Edhe atëherë e lat inflacionin të shpërthejë lirshëm, ndërsa qytetarët i latë të vetëm të ballafaqohen me rritjen e çmimeve”, deklaroi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, kritikoi qeverinë për moskujdes për zhvillimin ekonomik dhe standardin e jetesës, duke theksuar se veprimet e saj synojnë vetëm përfitime politike.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se qeveria kishte marrë vetëm një masë të kufizuar për përcaktimin e marzhës së fitimit për bizneset e derivateve, të cilën e konsideroi jo adekuate. Ai theksoi se çmimi i furnizimit të naftës mes datës 2 dhe 3 prill është rritur me 14%, dhe masa e qeverisë nuk parandalon që bizneset ta bartin rritjen tek konsumatori.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kritikon qeverinë për papërgjegjshmëri. Deputeti Besnik Tahiri tha se qeveria tenton të viktimizohet brenda kabinetit, ndërsa nuk ofron zgjidhje reale për qytetarët.
Në anën tjetër, pushteti argumentoi se heqja e TVSH-së dhe ulja e akcizës nuk është zgjidhje e thjeshtë. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, theksoi se vendime të tilla mund të sjellin dëm të madh dhe se duhet të bëhen analiza të kujdesshme për të ruajtur mirëqenien e qytetarëve.
Hekuran Murati, ministër i Financave, theksoi se heqja e TVSH-së dhe ulja e akcizës do të kishin efekt të vogël për qytetarët, por humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se kërkesat për heqjen e akcizës dhe TVSH-së janë të përsëritura dhe se ai nuk ka vepruar asnjëherë në këtë drejtim. Ai gjithashtu theksoi se inflacioni është i importuar dhe jo burimor për Kosovën.
“Inflacioni është i importuar, nuk është burimor. Nëse do të ishte burimor ne do të mbanim kryekëput përgjegjësi. Por inflacioni është i importuar. Dhe kjo ndodh për shkak se, në Ngushticën e Hormuzit, anijet nuk janë me qymyr por janë me naftë. E qysh e dini gjithë ju, Kosova nuk ka burime të naftës”, tha Kurti.



Të tjera
Lajme
Banuesi nga Prishtina mbetet në det në Velipojë për shkak të defektit në motor, shpëtohet nga Policia Kufitare
Në Velipojë Policia Kufitare i ka
Lajme
Mbytet në det 50-vjeçari në Durrës
Një shtetas 50-vjeçar është mbytur pasditen
Lajme
Këto vende do të mbesin pa rrymë nesër e pasnesër
Njoftimet nga KEDS për punimet në