Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka analizuar se si aleatët perëndimorë e shohin Kosovën dhe Serbinë dy dekada pas çlirimit. Ajo gjithashtu bëri thirrje që punët e mëdha të kryhen sa Joe Biden është në presidencë në SHBA.
Ajo shkroi se situata ka ndryshuar shumë këto 20 vite dhe rrjedhimisht kësaj ka ndryshuar edhe percepcioni i perëndimorëve për Kosovën dhe Serbinë.
Sipas Çitakut ata më, pra, aleatët nga Perendimi, nuk e shohin vendin tonë si viktimë që duhet shpëtuar, por si një shtet të pavarur dhe sovran të cilit i kanë ndihmuar shumë.
“Aleatët tanë, kur e shohin Kosovën, nuk e shohin një popull të viktimizuar të cilin duhet shpëtuar. Kur e shohin Kosovën, ata shohin një shtet të pavarur dhe sovran, në të cilin kanë investuar gjatë. E shohin një prej demokracive më vibrante në rajon, dhe presin nga ne të sillemi përgjegjëshëm”, thuhet në postimin e saj.
Postimi i plotë:
Gjërat duhet parë ashtu siç janë, e jo ashtu siç ne do të donim të ishin.
Disa prej nesh kemi mbetur peng i botëkuptimeve të farkëtuara në vitin 1999. Mirëpo, askush, as në Washington D.C e as në Bruksel nuk e sheh rajonin me thjerrëzat e dy dekadave më parë.
Aleatët tanë, kur e shohin Kosovën, nuk e shohin një popull të viktimizuar të cilin duhet shpëtuar. Kur e shohin Kosovën, ata shohin një shtet të pavarur dhe sovran, në të cilin kanë investuar gjatë. E shohin një prej demokracive më vibrante në rajon, dhe presin nga ne të sillemi përgjegjëshëm.
Kur e shohin Serbinë nuk e shohin një shtet të cilin duhet luftuar. E shohin një shtet i cili sot është problematik, por potencialisht partner, dhe të cilin duan ta ankorojnë kah perëndimit.
Bota ka ndryshuar shumë nga viti 1999 dhe nuk ka asnjë apetit për tu marrë me menaxhim krizash në rajonin tonë.
E ne si Kosovë e kemi një mundësi të artë me Biden në Shtëpi të Bardhë, meqë Presidenti Amerikan ka një kujtesë dhe angazhim personal në rajonin tonë. Mirëpo, kjo mundësi duhet shfrytëzuar konstruktivisht, duke ofruar zgjidhje dhe alternativa, e jo duke shkaktuar probleme artificiale.