Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka njoftuar se Qeveria është duke ushtruar presion ndaj grevistëve që të ndalin grevën, shkruan Gazeta Botapress.
“Duam të njoftojmë opinionin e gjerë se Partneri ynë Social – Qeveria është duke u munduar të gjejë rrugë jo të mira, kryesisht të presionit joparimor dhe vetëm e vetëm për të bindur grevistët të ndalin Grevën e Përgjithshme”, thuhet në njoftim.
BSPK ka porositur Qeverinë se ndalja e grevës së përgjithshme pa dialog social është dhunim i demokracisë.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës njofton opinionin se BSPK-ja do të bënte shkelje të ligjit për greva e mbi të gjitha shkelje të rëndë të parimeve dhe normave sindikale po që se do të ndalte grevën pa u ulur në karrigen e tavolinës së dialogut social dhe pa arritjen e marrëveshjes”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë që nga data 25 gusht, BSPK është në grevë dhe deri tani ende nuk ka pasur ndonjë ftesë për dialog në mes të Qeverisë dhe sindikalistëve.
Qeveria Kurti vazhdimisht është duke ‘sulmuar’ sindikalistët e SBASHK’ut për grevën në arsim, derisa dera për ta në Qeveri është mbyllur për dialog edhe pse SBASHK’u po kërkon diçka të tillë. /Botapress.info/