Miratimi në lexim të dytë i Projektligjit për Zyrtarët Publikë ka ngritur shqetësime në Bashkimin Evropian. Sipas BE-së, Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita.
Prokuroria kërkon konfiskimin e 90 për qind të pasurisë së Burdushit
Mirëpo ndryshe e sheh shefi i Qeverisë kosovare.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së sotme në Kuvend tha se miratimi i këtij Projektligji është fitore e madhe e këtij viti sa i përket shtetndërtimit demokratik.
Kurti tha se ky ligj është baza për të krijuar një administratë publike profesionale e cila i përmbush detyrat e saj dhe kërkesat legjitime të qytetarëve. Me këtë ligj, Kurti tha se do të rritet konkurrueshmëria, dhe rrjedhimit edhe cilësia.
“Zyrtarët publikë është një fitore e madhe e këtij viti sa i përket shtetndërtimit demokratik në Kosovë dhe ky ligj është baza për të krijuar një administratë publike profesionale e cila i përmbush detyrat e saj dhe kërkesat legjitime të qytetarëve. Unë i ftoj profesionistët brenda vendit dhe nga mërgata që të aplikojnë në konkurse dhe të zgjedhin më të mirin. Kështu do të rritet konkurrueshmëria dhe rrjedhimisht edhe kualiteti në nivelin e nënpunësve të lartë drejtues”, tha Kurti në seancën e sotme të Kuvendit.
Në anën tjetër, BE-ja është shprehur e shqetësuar duke thënë se ky ligj u miratua pa marrë parasysh komentet e tyre.
“BE-ja shpreh keqardhjen që Kuvendi i Kosovës dje i ka miratuar këto dy ligje pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OECD/SIGMA, përkundër angazhimeve të MSA-së në këtë fushë”, u tha në reagaim.
Sipas njoftimit, komentet e BE-së kishin për qëllim të udhëzojnë dhe mbështesin më së miri qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 58 vota për, asnjë kundër dhe katër abstenime kanë miratuar të enjten në lexim të dytë Projektligjin për Zyrtarët Publikë.
Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Kushtetuese këtë ligj. Sipas PDK-së, Ligji për Zyrtarët Publikë bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.