Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po e çon shtetin drejt theqafjes. Sipas saj, as Kurti e as presidentja Vjosa Osmani nuk po mendojnë për diçka tjetër përpos votave.
“Konfrontimet me SHBA-në, konfrontimet me BE-në shkojnë në favor të Serbisë dhe Rusisë. Sanksionet ndërkombëtarë ndaj Kosovës shkaku i partisë në pushtet po e dëmtojnë shtetin e krijuar me gjakun e dëshmorëve dhe sakrificën e secilit shqiptar. Përpos dështimeve spektakolare në ekonomi, arsim, shëndetësi e diplomaci, kjo Qeveri po e çon Kosovën drejt humnerës edhe në veri” ka thënë mes të tjerash Bajrami.
Ky është reagimi i plotë i saj:
Kurti po e çon shtetin në theqafje
Kurti por edhe Osmani po mendojnë veç për vota, e angazhimi i tyre për vota po i bën favore Serbisë e Rusisë.
Konfrontimet me SHBA-në, konfrontimet me BE-në shkojnë në favor të Serbisë dhe Rusisë. Sanksionet ndërkombëtarë ndaj Kosovës shkaku i partisë në pushtet po e dëmtojnë shtetin e krijuar me gjakun e dëshmorëve dhe sakrificën e secilit shqiptar. Përpos dështimeve spektakolare në ekonomi, arsim, shëndetësi e diplomaci, kjo Qeveri po e çon Kosovën drejt humnerës edhe në veri.
Votat e fituara do duhej të përdorën për të mirën e të ardhmën me të ndritur të Republikës. Kjo Qeveri po tradhton besimin e qytetarëve. Po tradhton themelet e shtetit përmes konfrontimeve me SHBA-në dhe BE-në dhe besimin qytetarë po e përdor për popullizëm, i cili ka kosto të parikuperushme.
Ata që sot po kalkulojnë vetëm për vota e kanë harruar shtetin. Në fakt, po e rrënojnë shtetin.
Presidente, nuk mjafton foto me flamur të Evropës, duhet të jeshë më e qartë, sot ose kurrë sepse e dimë që nuk je aq naive për të mos i kuptuar pasojat.