Një debat me tone të ashpra ndërmjet pozitës dhe opozitës është zhvilluar sot në Kuvend, por edhe me sulme të ashpra të kryeministrit Albin Kurti për Prokurorinë, pas arrestimit të drejtorit drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.
Në hyrje të seancës së sotme, ishte Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, që kërkoi mocion për raportimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për arrestimin e djeshëm në KEK. Mirëpo ky mocion dështoi, pasi VV votoi kundër dhe nuk pranoi që në Kuvend të flitet për këtë çështje.
Tenderi milionësh i KEK’ut me negocim, që e çoi në burg Nagip Krasniqin
“Ne kemi parë që aty është bërë një abuzim jashtëzakonisht i madh, prej subvencionimit të tarifave, pastaj tenderët njëburimor. Le të na tregojë sa është vlera e monetare e këtyre abuzimeve, e shumë e shumë çështje të tjera që lidhen më punësime. Sepse Nagip Krasniqi ka qenë zyrtar i lartë i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ky zyrtar është arrestuar”, u shpreh Tahiri.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, para deputetëve tha se ende nuk ka informata zyrtare nga institucionet e drejtësisë për arrestimin e drejtorit të KEK’ut.
“Skandali i Nagip Krasniqit e bën përgjegjëse drejtpërdrejt Qeverinë”, tha Hykmete Bajrami, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
“Për shkak se Nagip Krasniqi është eksponent i Lëvizjes Vetëvendosje, është personi që e ka shkruar programin për energji për këtë parti, si kryesues i Komisionit për energjinë për Lëvizjen Vetëvendosje, ai e ka draftuar Strategjinë e Energjisë. Ai ka bërë qe 15 muaj, të merren vendime në këtë Kuvend, të jemi në masa emergjente në mënyrë që të importojë energji dhe të bëhen tenderë të negociuar”, theksoi ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në seancën e kuvendit se në KEK ka pasur keqpërdorime edhe në të kaluarën, por nuk janë trajtuar nga ana e prokurorisë.
“Është e vërtetë që pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi, mirëpo ky është fakt i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK, ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë përkatësisht nga prokuroria”, tha Kurti.
Ai theksoi se me rastin e kryeshefit të KEK’ut ka pasur gëzim tek opozita.
“Është e vërtet që dje u arrestua kryeshefi i KEK-ut. Tash ai është në ndalej dhe është sistemi i drejtësisë ai i cili merret me çështje e tij, kjo çështje ka fakte dhe ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe përpikëri. Në anën tjetër është fakt që pati gëzim opozitar për arrestimin e Krasniqit. Ne e dim që në të kaluarën ka pasur keqpërdorime marramendëse por që nuk janë trajtua nga prokuroria. Natyrshmit që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponua me dhjetra fakt dëshmi materiale për keqpërdorime që ka gjetur aty, mirëpo zelli i Prokurorisë për tu marrë me keqpërdorimet e më hershme ka qenë zero, mirëpo zelli i Prokurorisë për tu marrë me kryeshiefin që i solli fitime KEK-ut ka qenë maksimal”, ka thënë Kurti.
Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi nga Qeveria që të ndërmarrë masa ndaj Nagip Krasniqit.
“Kur dikush prej jush nuk ec si duhet, duhet t’ia tregoni vendin. Nuk besoj që është besnikëri të marrësh vendime të gabuara kundër interesit të vendit. E lus kryeministrin ta marrë anën e ligjit dhe drejtësisë”, tha ai.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se dje është arrestuar një person me inicialet Nagip Krasniqi nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi.
Autoritetet e drejtësisë kanë njoftuar se Nagip Krasniqi kryeshef i KEK’ut është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.
Nagip Krasniqi në këtë pozitë është emëruar nga partia në pushtet e Albin Kurtit, pasi që siç dihet edhe vet Krasniqi është pjesë e VV’së.
Korporata Energjetike e Kosovës është një ndër ndërmarrjet kryesore energjetike në vend. Asetet e korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. /Botapress.info/