Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Bob Menendez, i cili në Senat kishte përkrahur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në raport me Serbinë, së fundi është përfshirë në skandale ryshfeti, bashkë me gruan e tij.
Menendez bashkë me gruan, Nadine Arslanian Menendez, akuzohen se kanë pranuar qindra mijëra dollarë ryshfet, duke përfshirë edhe ari, para dhe një automjet luksoz, në këmbim të ndikimit të guvernatorit.
Sipas raportimeve të CNN, guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy, dhe shumë demokratë të tjerë, kanë kërkuar nga Menendez që të jape dorëheqjen sa më shpejtë, pas aktakuzës të së premtës për ryshfet.
Murphy është shprehur se është i gatshëm që të emëroj një senator të ri, nëse Menendez do të jepte dorëheqjen.
“Faktet e supozuara janë aq serioze, saqë rrezikojnë aftësinë e Menendez për të përfaqësuar popullin e shtetit tonë”, është shprehur ai.
Mirëpo, nuk ka qenë Murphy i vetmi që ka kërkuar dorëheqjen e senatorit Menendez.
Edhe kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të Nju Xhersit, Craig Coughlin, ka thënë se akuzat kundër senatorit bien kundër gjithçkaje që ne duhet të besojmë si nepunës publikë, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Poashtu, edhe anëtarët e delegacionit të Nju Xhersit, në Uashington DC, kanë kërkuar nga senatori që të largohej.
Mikie Sherrill, e cila mund të zëvendësojë senatorin, tha se gjëja më e mire për shtetin do të ishte nëse ai do të jepte dorëheqje.
Tutje, deputeti demokrat Andy Kim, tha se senatori duhet të jap dorëheqje.
“Njerëzit e Nju Xhersit duhet të dine të vërteten e asaj që ndodhi dhe shpresoj se sistemi gjyqësor të punojë shpejt për të nxjerrë të vërteten në dritë”, tha ai.
Menendez ka kundërshtuar fuqishëm akuzat si dhe kërkesat e demokratëve për dorëheqjen e tij, duke thënë se nuk do të heq dorë nga vendi i tij.
“Ata që besojnë në drejtësi besojnë në pafajësi derisa të provohet fajësia. Unë do të vazhdoj të luftoj për njerëzit e Nju Xhersit, njejtë sikur në pesë dekadat e fundit”, është shprehur senatori.
Kjo nuk është hera e parë që Menendez është përballur me akuza dhe ka parë aleatë politikë të dalin kundër tij.
Edhe në vitin 2015, ai u akuzua për ryshfet dhe mashtrim të shërbimeve, në lidhje me abuzimin e pushtetit të tij.
Atë kohë çështja përfundoi në gjyq dhe senatori u lirua nga disa akuza, ndërsa Departamenti i Drejtësisë nuk kishte pranuar të rigjykojë çështjen.
Senatori Menendez, gjatë Senatit e kishte përkrahur publikisht kryeministrin Kurti, duke thënë që të mos i bëhet presion Kosovës dhe duke kundërshtuar kështu Emisarin Special të ShBA-ve për Ballkanin Përendimor, Gabriel Escobar.
Poashtu, ai në gusht të këtij viti, i ishte bashkuar thirrjes së politikanëve që i kishin dërguar letër zyrtarëve të BE-së dhe Uashingtonit, duke kërkuar që të ndryshohet qasja në raport me Kosovën dhe Serbinë.
Edhe para dy vitesh, Menendez kishte kritikuar Administratën Trump, për presion ndaj Kosovës.
“Administrata e Trump fatkeqësisht bëri të gjithë presionin drejt Kosovës dhe aspak ndaj Serbisë dhe Beogradit. Dhe kjo krijoi pasoja në fund të ditës. Unë gjithashtu s’besoj që shkëmbimi i territoreve do të duhej të ishte një prej gjërave që duhej diskutuar”, kishte thënë Menendez.
Poashtu, në vitin e kaluar, kur Escobar po raportonte në Nënkomisionin për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë në kuadër Komisionit për Punë të Jashtme në Senatin amerikan në lidhje me Ballkanin Perëndimor, senatori Menendez e kishte kritikuar.
“Ju po i bëni presion Kosovës që të implementoj një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, përkundër faktit që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur disa pa përputhshmëri të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 për këtë asociacion. Unë mendoj se kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk duhet të bëjmë edhe një tjetër Republika Srpska, dhe nuk duhet assesi të dëmtojmë sovranitetin e Kosovës… Përkundrazi presioni duhet të jetë mbi Serbinë që të njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, ishte shprehur senatori.