Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar për mediumin ukrainas “European Pravda” se një sulm i ngjashëm si me atë në Banjskë, mund të përsëritet sërish.
Ai ka shtuar se Kosova duhet të jetë gati për luftë.
“Nëse shikoni zhvillimet nga ana e Serbisë, gjithmonë mund të llogaritni me një konflikt potencial, dhe ka disa elemente që tregojnë se kjo mund të jetë e mundur. Kjo do të thotë se jemi gjithmonë të kujdesshëm, gjithmonë llogarisim me skenarin më të keq të mundshëm, por ne besojmë se prezenca e KFOR-it, trupave të NATO-s në Kosovë, mund të ndalojë këto tensione nga Serbia në të ardhmen e afërt, por gjithmonë është e mundur”, ka deklaruar Bislimi.
Bislimi shton se ka arsye të besohet gjithashtu se Rusia ishte direkt e përfshirë në sulm.
“Në jug të Serbisë, në qytetin e Nishit, i cili nuk është larg nga kufiri me Serbinë, ka një qendër humanitare ruse e quajtur “Qendra Humanitare Ruse”, e cila është angazhuar zyrtarisht në sigurinë nga zjarret, por askush nuk ka parë ndonjë rezultat të punës së saj,” ka deklaruar ai.
Zëvendëskryeministri ka theksuar se është e rëndësishme që perëndimi të pajtohet provat që ky ishte një sulm hibrid që kishte rrënjët e tij në udhëheqjen më të lartë të Serbisë.