Aksioni i Prokurorisë së Hagës, e konfirmon Policia e Shqipërisë: Goxhaj u arrestua për t’u ekstraduar
Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është arrestuar në Tiranë me urdhër të Gjykatës Speciale. Policia e shtetit të Shqipërisë e ka konfirmuar arrestimin e tij, me qëllim ekstradimi.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit D. G., si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit D. G., 45 vjec, lindur në Fier dhe banues në Tiranë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.” – thuhet aty.
Edhe Gjykata Speciale e ka konfirmuar për Nacionalen arrestimin e tij.
“Më 31 korrik 2023, autoritetet shqiptare arrestuan z. Dritan Goxhaj në Tiranë. KSC kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në KSK, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga një gjyqtar i KSK-së në lidhje me veprat kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. . Z. Goxhaj do të mbahet në Shqipëri, në pritje të një vendimi nga autoritetet shqiptare për transferimin e z. Goxhaj në ambientet e paraburgimit të KSC në Hagë.”
A lejohet veprimi i Gjykatës Speciale në Shqipëri?
Menjëherë pas këtij arrestimi, janë ngritur shumë dilema, nëse lejohet ose jo arrestimi e veprimet e ekstradimi, i qytetarëve nga Republika e Shqipërisë.
Ligji për dhomat e Specializuara, neni 35 dhe 55 e rregullon edhe bashkëpunimin ndërkombëtar në të tilla raste.
Ndër të tjera aty thuhet: “Prokurori i Specializuar dhe prokurorët e tjerër kanë autoritetin dhe përgjegjësinë për t’i kryer funksionet e detyrës së tij përfshirë, kërkimin e bashkëpunimit të ndonjë shteti ose organizate ndërkombëtare, ndërqeveritare ose kombëtare në pajtim me mandatin e tij”.
Ndryshe Republika e Kosovës, në vitin 2012, e ka ratifikuar Marrëveshjen për Ekstradim, Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale dhe Transferimin e Personave të Dënuar, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.
Kush është Dritan Goxhaj?
Dritan Goxhaj i është bashkuar UÇK’së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit.
Goxhaj ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.
Kohë më parë, Goxhaj e kishte përmendur këshilltaren e ministres Albulena Haxhiu, si një dëshmitare të mundshme në procesin ndaj Salih Mustafës.
“Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj”, pretendon ish-oficeri i UÇK-së, në shkrimin e publikuar në KosovaPress, më 2 janar të këtij viti.
“Kjo është këshilltare e Ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Përveç faktit që është e afërme e viktimës, askush nuk i bie dot në fije se si ka mundur kjo të jetë dëshmitare për një ngjarje të cilën ajo vetëm e ka dëgjuar”, pretendon autori i shkrimit.
Në një opinion që ishte publikuar, ai kishte thënë se Bala është dëshmitare. Megjithatë, opinioni sot nuk mund të gjendet në agjencinë Kosovapress.
Ndaj fjalëve të Goxhajt ishte përgjigjur edhe Bala, duke thënë se ai po ia rrezikon jetën.
Nacionale nuk ka mundur ta konfirmojë arrestimin e Goxhajt ende në rrugët zyrtare.
Ai është djali i ish-zv.shefi i Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj.
Kolonel Goxhaj iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë, ku si një ushtarak me eksperiencë ndihmoi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës..