Abdixhiku: Në LDK, formalisht, nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim për shkarkim!

 

 

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku tha se Kryesia ka shqyrtuar rezultatet zgjedhore dhe zhvillimet politike pas certifikimit të tyre nga KQZ-ja.

I pyetur për iniciativën e disa zyrtarëve të LDK-së për shkarkimin e tij, Abdixhiku deklaroi se deri më tani nuk është dorëzuar asnjë kërkesë zyrtare.

 

 

“Në LDK nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim formalisht,” tha ai.

Ai shtoi se zgjedhjet e rregullta për kryetarin janë të parapara të mbahen vitin e ardhshëm, sipas Statutit.

“Ne kemi dalë prej një Kuvendi më 31 janar dhe një parti serioze matet me sa i përmbahet zotimeve të veta,” deklaroi Abdixhiku.

Megjithatë, ai tha se do të respektojë çdo procedurë statutare.

“Çfarëdo nënshkrimi që deponohet, unë menjëherë, me Statut, e thërras Kuvendin. Ne s’jemi as të përhershëm e as qëndrojmë me forcë,” u shpreh ai.

Abdixhiku u bëri thirrje strukturave të LDK-së që debatet të zhvillohen brenda organeve të partisë.

“Do të doja që LDK të merret sa më pak me çështje që ndajnë LDK-në. Nuk e dua ndarjen e LDK-së,” tha ai.

Lidhur me takimin me Kurtin, kreu i LDK-së tha se partia do të dëgjojë fillimisht propozimet dhe më pas do t’i trajtojë ato në organet e saj.

“Ne do të ulemi me parimet tona. Në këtë fazë nuk flasim për emra, do të dëgjojmë edhe palën tjetër,” deklaroi ai.

Ai shtoi se synimi i LDK-së është shmangia e zgjedhjeve të reja dhe krijimi i institucioneve funksionale.

“Të provojmë t’i shmangim zgjedhjet, se do të ishte çmenduri të shkojmë edhe një herë në zgjedhje. Kjo nuk ka më kuptim,” përfundoi Abdixhiku.

Të tjera