Tryeza e Brukselit të hënën e ardhshme do të jetë e rezervuar për dy krerët e shteteve nën tension, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Duke u bazuar në takimet e tyre paraprake mund të lexohet se si mund të nis ai takim – Kurti dhe Vuçiq nuk ia zgjasin dorën njëri -tjetrit.
Albin Kurti tregon se a kontrollohet Vetëvendosja nga Dejona Mihali
Të gjitha takimet e tyre kanë nisur në këtë frymë, me tension e pa rezultate në fund – pos deklaratave kundër njëri- tjetrit që në parim janë të destinuara të përdoren elektoralisht.
Por, pas takimeve të ndara në Mynih javën që shkoi ku u përfshi Kancelari i Gjermanisë, Presidenti i Francës dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE’së po flitet për mundësinë e arritjes së marrëveshjes.
Ndonëse Kurti në një intervistë për France 24 tha se marrëveshja është e mundur sivjet e jo në takimin e radhës në Bruksel.
Pra, mund të ndodhë që Kurti e Vuçiq të shtrëngojnë duart për herë të parë, por kjo mbetet të shihet.
Cila është historia e ballafaqimeve Kurti -Vuçiq?
Kosovën në dialog po e përfaqëson një politikan që gjatë qëndrimit në opozitë ka kritikuar dialogun, më pas evoluoi duke e kundërshtuar qasjen ndaj dialogut. Dhe, kur Kurti i fitoi zgjedhjet më 14 shkurt 2021, tha se “dialogu është prioriteti i tij i shtatë ose i tetë”.
Kurti dhe Vuçiq për herë të parë ishin parë në shkurt të vitit 2020 në Mynih, në margjina të Konferencës së Sigurisë.
Aty nuk ishin takuar, por Kurti si kryeministër në ardhje në një tryezë me plotë diplomatë, ku prezent ishte edhe Vuçiqi, ish -Presidenti Hashim Thaci dhe Edi Rama, kishte deklaruar se “s’ka marrëveshja pa dialog, s’ka dialog me harta dhe pa presidentë rreth hartave”, duke aluduar në bisedimet për shkëmbim territoresh.
Pasi Kurti u ulë në karigen e kryeministrit për herë të dytë, por tani si komod pasi e kishte gjithë pushtetin – takimi me Vuçiqin nuk ndodhi menjëherë, duhet të vinte qershori i vitit 2021.
Data 15 i atij muaji e gjeti Kurtin dhe Vuçiqin përballë, duke u negociouar, por për t’u pajtuar që të mos pajtohen.
Thellësia e mospajtimeve do të rritej më pas në takimin e 19 korrikut, Kurti kishte me vete tre libra që do t’ia dorëzonte Vuçiqit që flisnin për historitë gjenocidiale të Serbisë ndaj shqiptarëve.
“Nuk po mund të besojnë diplomatët evropianë çfarë po dëgjojnë, Kurti po flet për shekullin 19”, kishte deklaruar Vuçiq.
E Kurti kishte deklaruar se ka propozuar marrëveshje të paqes, por kishte thënë se ”pala serbe e ka refuzuar pa e lexuar fare“.
Kaloi një muaj, Kurti dhe Vuçiq u takuan sërish, por asgjë konkrete, por gjëra konkrete do të ndodhnin në muajin në vijim.
Në mes të shtatorit 2021, forcat policore zbritën në Veri të Kosovës, saktësisht te pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje për ta zbatuar reciprocitetin e targave. Vendimi ishte qeveritar.
Më pas zhvillimet në Veri do të shndrroheshin si prioriteti kryesor për ekzekutivin e Albin Kurtit, pasi policët e Kosovës kishin mbetur të ngujuar në mes protestuesve serbëve lokalë dhe aeroplanëve serbë që mbulonin qiellin e kufirit Kosovë-Serbi.
Situata po keqësohej, derisa në Bruksel ishin ftuar negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Ata të dy (sigurisht me miratimin e shefave në Prishtinë dhe Beograd) arritën një marrëveshje për targat, më 20 shtator – situata po kthehej në normalitet, por jo për gjatë.
Më 27 qershor, Kurti kishte shpallur zbatimin e vendimit për reciprocitetin me targa dhe dokumente që do të zbatohej prej 1 gushtit. Beogradi kundërshtoi, por jo veç me fjalë – përgatitjet që ky vendim të pengohet kishte nisur.
Produkti i kësaj përgatitjeje doli më 31 korrik, Vuçiq u shfaq në një konferencë për t’iu adresuar popullit serb – i ashpër e kërcënues, ishte Vuçiq atë ditë. Por kërcënimi po vinte edhe në terren.
Serbët lokalë vetëm pak orë më pas lëshuan sirenat e luftës, tensioni ishte i lartë aq sa edhe mundësia e eskalimit të situatës. Megjithatë pas kërkesës amerikane, Kurti e kishte shtyrë vendimin për një muaj. Marrëveshja për dokumente ishte arritur më 27 gushti, tensioni u shty, për t’u mos u zhdukur.
Nëntori po servonte zbatimin e çështjes së pazgjidhur në dialogun e gushtit, pra – targat. 21 nëntori ishte data kur do të duhej të niste gjobitja e serbëve që nuk i kanë konvertuar targat nga ”KM“ në ”RKS“, Lista Serbe kishte paralajmëruar rezistencë që nënkuptonte ”luftë“.
Në atë gjendje alarmante, po atë ditë Brukseli kishte thirrur takim Kurti-Vu֛çiq, takim që zgjati mbi 10 orë – poqë pa asnjë zgjidhje, tashmë dukej sikur përshkallëzimi është i pashmangshëm.
Më e keqja nuk ndodhi sepse Brukseli, Prishtina dhe Beogradi kishin ”xhokerët“ që në këtë rast janë Bislimi dhe Petkoviq. Ata e kishin arritur marrëveshjen për targa më 23 gusht.
Më pas, emisari i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak kishte vlerësuar Bislimin dhe Petkoviqin për konstruktivitetin e treguar, por jo edhe Kurtin dhe Vuçiqin.
Dyshja do të ballafaqohen sërish më 27 shkurt, tashmë agjenda e takimit dihet – pranimi formal i planit franko-gjerman.
Kurti shkon në dialog duke e bartur mbi vete kërkesën e vazhdueshme amerikane dhe evropiane për themelimin e Asociaiconit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërkaq Vuçiq e ka të hapur me perëndimin një çështje që s’ka të bëjë me Kosovën, pra mos vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë.
Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka reflektuar edhe tensionin ambiental në Ballkanin Perëndimor, këtë e ka pranuar edhe vetë Kurti.
Gjatë një interviste më 12 shkurt në ”Euroneës Albania” kishte thënë se “presioni ndërkombëtar për Asociacionin është për shkak të frikës që konflikti në Ukrainë mund të bartet edhe në rajon“.
Në saje të kësaj, dialogu bëhet më kompleks – i nxituar dhe i vështirë në të njëjtën kohë.
Pranimi i planit franko-gjerman do ta shënonte një kapitull të ri të dialogut, zbatueshmëria e tij më pas do të ishte sfidë për palët e përfshira. /Botapress.info/