Nesër nga ora 10:00 në Hotel Grand, Kurti me tre ministra do t’i presë në takim kryetarët e komunave të Kosovës. Buxheti për vitin 2023 dhe kriza energjike pritet të jenë tema të diskutimit. Se a do të marrin pjesë në këtë takim kanë folur disa nga kryetarët e komunave që nuk udhëhiqen nga partia në pushtet- Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetarët Shaqir Totaj, Ferit Idrizi, Smajl Latifi, Fadil Nura, Bali Muharremaj dhe Agim Aliu e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Kurti.
Si u merrte ryshfet pacientëve mjeku që mori besimin e Kurtit për ta drejtuar SHSKUK-në
Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi, ai i Suharekës Bali Muharremaj, i pari i Ferizajt Agim Aliu dhe udhëheqësi i komunës së Skënderajt Fadil Nura kanë thënë shkurtimisht se do të shkojnë në këtë takim.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka dy kritika për Kurtin.
Ai tha se për buxhetin është dashur të diskutohet para se të miratohet dhe takimi është dashur të mbahet në ambiente të Qeverisë e jo në hotel.
“Për buxhetin ka qenë dashtë të diskutohet para se ai të miratohet, nëse veç ka qenë me interes për kryeministrin. Takimi do duhej mbajtur në ambiente të qeverisë e jo në hotel. Duket se i ngjan një trajtimi jo serioz të kryetarëve të komunave nga ana e kryeministrit. Megjithatë besoj se do shkoj nesër në takim”, ka thënë Totaj për Express.
Ferit Idrizi, kryetar i Vushtrrisë, ka thënë për Express se do t’i përgjigjet kryeministrit kurdo që i fton.
“Po si jo, është kryeministër i vendit dhe i imi, andaj do i përgjigjem çdoherë kur fton. Institucionet lokale dhe qendrore duhet bashkëpunojnë ngushtë nëse duam t’i përmbushim obligimet ndaj qytetarëve”, tha ai.
Për këtë takim nuk ka qenë i informuar kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ai tha se “edhe këtë herë” nuk është njoftuar nga Qeveria.
“Nuk jam në dijeni pëe detajet rreth takimit, sepse sekretariati i Asociacionit, edhe këtë herë, nuk është njoftuar rreth këtij takimi. Ftesa u ka shkuar kryetarëve”, tha ai.
Në ftesë thuhet se përveç Kurtit, të pranishëm në këtë takim do të jenë edhe tre ministra të Qeverisë së Kosovës, Hekuran Murati, Artane Rizvanolli dhe Elbert Krasniqi.
Express ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga kryetarë të tjerë, mirëpo deri në kohën e publikimit, ata nuk kanë kthyer përgjigje./Botapress.info/