Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, 20 vjet më parë do të lirohej nga burgjet serbe, ku po mbahej për më shumë se dy vjet. Ai kishte hyrë në Kosovën e lirë pas orës 21:00.
Të gjitha mediat kishin shkuar drejt Merdarit për të dëgjuar se çka do të thoshte Albin Kurti, që deri atëherë njihej veç si student anglishtfolës i mirë, që u aktivizua në zyrën e UÇK-së, e cila udhëhiqej nga Adem Demaçi.
Me të hyrë në Kosovën e lirë tashmë, Kurti do t’u drejtohej mediave me këtë fjalim, ku thoshte se fokusi duhej të ishte te mënyra sesi ishte liruar dhe jo te lirimi i tij dhe se nuk e dëshironte një lirim të tillë si i vetëm, por me të burgosur të tjerë. Ai më tutje pati thënë në fund se i mungojnë më shumë shokët në burg sesa familja.
“Ka ngjarë ajo që më së paku kam dëshiruar që të ngjajë, jam liruar i vetëm, jam liruar vetëm unë, individualisht unë. Shokët e mi vazhdojnë të mbahen si pengje nëpër burgjet e Serbisë. Shumica dërrmuese e tyre janë me shëndet të rrënuar ose të plagosur, ose të dyja këto.
Mirëpo, megjithëkëtë kësaj, ata vazhdojnë të qëndrojnë të fortë moralisht dhe psikikisht. Unë nuk kam kërkuar asnjëherë që të më amnistojnë ose që të më falin.
Unë kam kërkuar vetëm drejtësi dhe atë drejtësinë e popullit tim edhe drejtësi ndërkombëtare, sepse drejtësia dhe e vërteta në të ashtuquajtura Serbi dhe Jugosllavi kanë qenë dhe edhe më tutje janë e kundërta e kuptimit të tyre.
Ju nuk duhet të fokusoheni në lirimin tim, por duhet të fokusoheni në mënyrën e këtij lirimi, në mënyrën e këtij lirimi dhe në pasojat e këtij lirimi. Regjimi pseudodemokratik i Beogradit lirinë time e ka përdorur si mjet për t’ua zgjatur robërinë shokëve të tjerë, që vazhdojnë të mbahen atje në burgje.
Në këto momente mua më shumë më mungojnë ata sesa familja ime”, pati thënë Kurti../Botapress.info/.