Dosja e Prokurorisë Themelore e Gjakovës hedh dritë mbi skemën e dyshuar të manipulimit masiv të votave gjatë procesit të numërimit në Malishevë, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë.
Sipas kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, të siguruar nga Insajderi, disa persona me role kyçe në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Malishevë dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje për të shtuar dhe hequr vota të kandidatëve për deputetë.
Ngjarjet që janë objekt hetimi dyshohet se kanë ndodhur nga data 29 dhjetor 2025 deri më 1 janar 2026, në Qendrën Komunale të Numërimit të vendosur në palestrën e sporteve “Habib Zogaj”. Pikërisht aty, sipas prokurorisë, manipulimi i votave është kryer përmes komisioneve të numërimit, të udhëhequra nga persona të autorizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Dosja përshkruan një model të njëjtë veprimi nga të dyshuarit; ndryshim të drejtpërdrejtë të rezultateve përmes shtimit dhe heqjes së votave, në disa vendvotime të komunës së Malishevës.
Denis Zogaj dyshohet se ka pasur rolin e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputet në tri komisione të ndryshme në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë. Sipas dosjes së prokurorisë, ai dyshohet se ka manipuluar procesin e numërimit duke shtuar 193 vota për kandidatë të caktuar dhe duke hequr 197 vota nga kandidatë të tjerë, në vendvotimet 3009/02 dhe 3022/01, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet zgjedhore.
Fatime Krasniqi dyshohet se ka ushtruar funksionin e kryesueses së komisionit për numërimin e votave në pesë komisione. Të gjeturat e prokurorisë pretendojnë se gjatë periudhës pas zgjedhjeve parlamentare ajo ka shtuar në mënyrë të paligjshme gjithsej 1,489 vota për kandidatë të caktuar, në disa vendvotime të komunës së Malishevës, përkatësisht në 3001/3, 3013/02, 3017/01, 3030/02 dhe 3034/01.
Elton Hoti, sipas dosjes, ka qenë kryesues i komisionit për numërimin e votave në shtatë komisione të ndryshme. Ai dyshohet se ka ndërhyrë në rezultatet zgjedhore duke shtuar 1,098 vota për kandidatë të caktuar dhe duke hequr 832 vota nga kandidatë të tjerë, në disa vendvotime të përfshira në procesin e numërimit, përfshirë 3001/4, 3005/02, 3009/01, 3016/02, 3020/02, 3025/02 dhe 3029/01.
Besa Krasniqi Mazreku dyshohet se ka ushtruar detyrën e kryesueses së komisionit për numërimin e votave në gjashtë komisione. Sipas prokurorisë, ajo ka shtuar 319 vota për kandidatë të caktuar dhe ka hequr 29 vota nga kandidatë të tjerë, në vendvotimet 3001/5, 3003/05, 3006/01, 3008/03, 3010/01 dhe 3023/02, duke falsifikuar rezultatet zgjedhore.
Arbër Kastrati dyshohet se ka qenë kryesues i komisionit për numërimin e votave në shtatë komisione të ndryshme në QKN Malishevë. Prokuroria pretendon se ai ka manipuluar procesin zgjedhor duke shtuar 980 vota për kandidatë të caktuar dhe duke hequr 945 vota nga kandidatë të tjerë, në vendvotimet 3002/2, 3003/04, 3015/03, 3017/02, 3027/01, 3030/01 dhe 3033/02.
Kujtim Bytyqi dyshohet se ka pasur rolin e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave në pesë komisione. Sipas dosjes së prokurorisë, ai ka shtuar 209 vota për kandidatë të caktuar dhe ka hequr 237 vota nga kandidatë të tjerë, në vendvotimet 3002/03, 3014/01, 3019/01, 3021/02 dhe 3028/02.
Albesa Krasniqi ka ushtruar funksionin e kryesueses së komisionit për numërimin e votave në pesë komisione. Ajo dyshohet se ka ndërhyrë në rezultatet zgjedhore duke shtuar 253 vota për kandidatë të caktuar dhe duke hequr 283 vota nga kandidatë të tjerë, në vendvotimet 3003/01, 3003/05, 3007/02, 3011/01 dhe 3026/01.
Nderim Bytyqi, sipas hetimeve, ka qenë kryesues i komisionit për numërimin e votave në katër komisione. Ai dyshohet se ka manipuluar procesin zgjedhor duke shtuar 106 vota për kandidatë të caktuar dhe duke hequr 146 vota nga kandidatë të tjerë, në vendvotimet 3029/02, 3035/01, 3020/01 dhe 3015/02.
Një nga bazat kryesore për kërkesën e paraburgimit lidhet me rrezikun real për asgjësimin e provave dhe ndikimin në dëshmitarë. Prokuroria thotë se hetimi ndodhet ende në fazën fillestare dhe se pritet të merren në pyetje një numër i konsiderueshëm dëshmitarësh, si dhe bashkëpandehurish. Nëse të dyshuarit do të liheshin në liri, ekziston rrezik i lartë që ata të ndikojnë në dëshmitarë, të koordinojnë deklaratat ose të tentojnë të ndryshojnë versionet e ngjarjes, duke e vështirësuar seriozisht zbardhjen e plotë të rastit.
Prokuroria gjithashtu vlerëson se pesha e veprës penale dhe rrezikshmëria shoqërore e saj përbëjnë një bazë shtesë për caktimin e paraburgimit. Sipas saj, bëhet fjalë për një vepër penale të natyrës së rëndë, e cila dëmton themelet e rendit demokratik dhe cenon besimin e qytetarëve në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Manipulimi i votave, sipas organit të akuzës, ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në vullnetin e lirë të votuesve dhe ka dëmtuar kandidatët e tjerë të cilëve u janë hequr votat.
Gjykata Themelore e Gjakovës pritet të marrë vendim përgjatë ditës lidhur me të dyshuarit.



Të tjera
Aktuale
Rinumërohen mbi 90% e vendvotimeve, procesi përmbyllet në 34 komuna
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar
Lajme
ETC sjell Eventin “E PREMTJA E BARDHË” me Zbritje deri 50%
Një ndër eventet më të mëdha
Aktuale
Kërkohet rritja e tarifave të rrymës, ZRRE thotë se do të aprovohen…
Tre operatorët energjetikë në Kosovë kanë