Zef Prenka Reagim ndaj deklaratës së Kryeministrit në detyrë z. Albin Kurti: PSHDK nuk është parti e pakicave etnike!

 

 

Deklarata e  Kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti, lidhur me koalicionet parazgjedhore, ku ai përmendi “LVV me Alternativën dhe Guxo si dhe pakicat”, nuk përkon me realitetin politiko-shoqëror dhe historik të pluralizmit në Kosovë.
Përfshirja e Partise  Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK) në kategorinë “pakica” paraqet një qasje të pasaktë politikisht dhe të padrejtë historikisht. PSHDK nuk është parti e pakicave etnike, por një subjekt politik shqiptar, i lindur në fillimet e pluralizmit politik në Kosovë, në kohën kur skena politike dominohej pothuajse vetëm nga LDK-ja dhe kur vetë ekzistenca e saj konsiderohej vlerë e demokracisë pluraliste.
Në periudhat e saj më të fuqishme, PSHDK kishte mbështetje të gjerë qytetare, duke përfshirë mbi 70 mijë anëtarë dhe përkrahës shqiptarë, jo vetëm të besimit katolik, por në masë të konsiderueshme edhe të besimit islam. Kjo dëshmon qartë se identiteti demokristian nuk ka qenë dhe nuk është identitet fetar-partiak, por orientim politik i qendrës së djathtë, me bazë në vlerat kombëtare, demokratike dhe europiane.
Është e vërtetë që sot PSHDK është tkurrur ndjeshëm, kryesisht si rezultat i vendimeve të udhëheqjes së saj, e cila pa një pajtim të qartë të elektoratit tradicional demokristian, përfundoi në koalicione me një subjekt radikalisht të majtë, duke shkaktuar largimin e një pjese të madhe të mbështetësve të saj – si të besimit islam ashtu edhe të atij katolik.
Megjithatë, kjo tkurrje politike nuk i jep askujt të drejtën që një subjekt historik shqiptar ta etiketojë si “pakicë”. Nëse duhet përdorur një term korrekt politik, PSHDK mund të konsiderohet një parti e vogël politike, por assesi parti e pakicave.
Nga një Kryeministër në detyrë pritet më shumë korrektësi politike dhe respekt për historinë e pluralizmit në Kosovë, sidomos ndaj subjekteve që kanë kontribuar në ndërtimin e demokracisë shumëpartiake që nga fillimi i viteve ’90.
Madje, nëse subjektet e mëdha politike fillojnë ta trajtojnë një subjekt politik shqiptar si “pakicë”, atëherë ky elektorat do të kishte të drejtë legjitime të kërkojë trajtim të barabartë institucional, përfshirë edhe vende të rezervuara në Parlament, sikurse komunitetet tjera që kategorizohen si pakica. Kjo jo pse demokristianët shqiptarë ndihen të tillë – përkundrazi, ata janë dhe e konsiderojnë veten pjesë të pandashme të kombit shqiptar – por sepse nuk mund të pranohen standarde të dyfishta: të përjashtohesh politikisht, të margjinalizohesh dhe njëkohësisht të etiketohesh si “pakicë” vetëm për shkak të emrit apo trashëgimisë demokristiane, duke krijuar përshtypjen e gabuar se bëhet fjalë për një komunitet fetar e jo për një orientim politik të qendrës së djathtë.

Të tjera