Ajo urdhëroi që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Një sinjal se çka mund të pasojë nëse edhe pas konsumimit të afatit ligjor 12-ditor s’konstituohet Kuvendi e dha dje deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
“Nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit, Kuvendi ka vetëm 12 ditë kohë për ta përmbyllur procesin. Gjykata i ka obliguar të gjithë deputetët që të ushtrojnë funksionin e tyre në interes të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Logjika kushtetuese është e qartë: nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues, ai shpërndahet dhe qytetarët vendosin përsëri në zgjedhje brenda 45 ditëve. Nuk ka më justifikime për bllokada politike. Pra, rruga është e thjeshtë: ose konstituohet Kuvendi, ose vendi shkon në zgjedhje”, shkroi ai.
Por, cila është rruga përpara pa vullnet për ta konstituuar Kuvendin dhe pa mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje pa u kryer konstituimi.
Kur në muajin gusht Gjykata Kushtetuese vendosi 30 ditë afat për konstituim dhe kur caktoi që një emër për kryeparlamentar do të mund të dilte në votim deri në tri herë, situata dukej më optimiste.
Vetëvendosje pasi provoi disa emra që shërbyen si ministra në Qeverinë Kurti II, propozimi me Dimal Bashën mori edhe votat e disa partive tjera.
Pasi u ul në karrigen e të parit, kryeparlamentari i ri kishte një kërkesë të partisë së tij për të rehabilituar – ndarjen nga pakoja e nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e pakicave.
Në administrimin e kësaj kërkese mori pjesë gjithashtu deputeti Elbert Krasniqi, i cili ishte ndër ministrat më besnikë të Kurtit gjatë katër viteve qeverisje.
Qëllimi ishte zgjedhja e Nenad Rashiqit nënkryetar dhe jo ndonjë nga deputetët e Listës Srpska.
Partia kryesore e serbëve në Kosovë në fillim propozoi Sllavko Simiqin për nënkryetar, i cili edhe pas tri herëve që doli si propozim s’mori votat e nevojshme.
Basha më pas mori vendimin për zgjedhjen e nënkryetarit serb me short.
Kjo procedurë u kundërshtua nga Lista Srpska e cila iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në Kuvend bojkotoi votimin pavarësisht që Basha hodhi në votim shumicën e emrave të deputetëve të saj sa për procedurë.
Votat e partive të tjera pos Vetëvendosjes s’i mori as Rashiq meqë ndarjen nga pakoja e konsideruar jokushtetuese.
Sidoqoftë, kjo s’e pengoi Bashën që ta shpallte konstituimin e Kuvendit punë të kryer derisa këtë qëndrim mbajti edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Si reagim për ankesën e Srpskas, Kushtetuesja caktoi ex officio masën e përkohshme, e cila hyri në fuqi më 5 shtator dhe skadoi më 30 shtator.
Për këtë Kushtetuesja u sulmua nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila pas afër shtatë muajsh vonesë në krijimin e institucioneve, e konsideroi humbje kohe 25 ditë pezullim. Gjithashtu, nga Vetëvendosje erdhën paralajmërime për Kushtetuesen.
Nënkryetari i kësaj partie, Glauk Konjufca, në një fjalim para Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ndërtoi tre skenarë për vendimin e mundshëm të Kushtetueses dhe për njërin e akuzoi se do të mund të kryente “tradhti shtetërore”.
“Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese të serbëve. Prandaj, gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. Por, skenari i tretë, të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thosha unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jetë peng i Listës Serbe”, kishte thënë Konjufca.
Të tjera
Aktuale
Për pesë vjet në Kosovë u braktisën 87 fëmijë
Vetëm pesë vjetet e fundit 87
Aktuale
Ndodh edhe kjo në Prizren: Me veturë hyn në fushën sportive dhe e shkatërron terrenin
Një rast i pazakontë është regjistruar
Aktuale
Përparim Rama: Trami elektrik është autobus më i gjatë, 32 metra për mbi 300 udhëtarë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka