Prokuroria godet një grup prej 6 personash nga Suhareka si të dyshuar për fajde

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë të pandehurve L.M., B.K., L.A., Xh.K., D.G., dhe K.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 të KPRK-së, ndërsa të pandehurit L.M., Xh., kanë kryer gjithashtu veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, dhe i pandehuri D.G., ka kryer gjithashtu veprën penale “Detyrimi” nga neni 328, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri L.M., me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton në mënyrë të paligjshme shuma të mëdha parash ndaj të dëmtuarit M.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të këtij të fundit, i pandehuri i ka dhënë borxh 20,000 euro me kamatë mujore 10%, që më pas janë grumbulluar deri në shumën 37,000 euro. Në pamundësi për ta kthyer borxhin, i dëmtuari është detyruar t’i japë banesën me sipërfaqe 123.8 m², në vlerë prej 70,000 euro. Në vitin 2022 i pandehuri merr edhe 10,000 euro të tjera me kamatë mujore 10%, ku borxhi i kamatave arrinë në 14,000 euro.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, për shkak të pamundësisë për kthimin e borxhit, i dëmtuari detyrohet t’i japë edhe një banesë tjetër në fshatin Shirokë me sipërfaqe 80 m² dhe vlerë tregu 52,000 euro. Gjithsej, nga kamatat dhe borxhet e grumbulluara, i dëmtuari ka paguar rreth 92,000 euro dëm përkatësisht humbje në shkallë të madhe.

Me këto veprime, L.M. ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së. Po ashtu, në shtëpinë e tij në Korishë, gjatë kontrollit policor janë gjetur dhe sekuestruar 51 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, që i pandehuri i mbante pa leje, duke shkelur ligjin për armët. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së. I pandehuri B.K., gjatë vitit 2021 i ka dhënë në fajde shumën prej 75,000 eurosh me kamatë mujore 8% të dëmtuarit M.K. Kamata dhe borxhi janë rritur në mënyrë drastike, duke arritur shumën prej 240,000 eurosh deri në maj 2023. Për shkak të pamundësisë së kthimit të këtyre parave, i dëmtuari detyrohet që t’ia jap të pandehurit banesën me sipërfaqe prej 300 m² dhe një lokal afarist prej 242 m², të cilat së bashku vlejnë 205,700 euro. Kjo ka shkaktuar dëm të madh financiar për të dëmtuarit në shumën prej 280,700 euro. Me këto veprime, i pandehuri B.K., ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.

Prokuroria Themelore e Prizrenit njofton tutje se i pandehuri L.A., nga prilli i vitit 2022 e dëri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi në Suharekë, i ka dhënë borxh të dëmtuarit M.K., shumën prej 7,000 eurosh me kamatë dhjetëditore prej 2,000 eurosh, duke e detyruar të dëmtuarin të paguajë shumën disa herë më të madhe se borxhi i vërtetë. Kur i dëmtuari nuk kishte para për të paguar, i pandehuri i ka ofruar si “shpërblim” mallra të ndryshme (traktor, ëa, disa dem dhe krerë lopësh) të vlerës së konsiderueshme, duke shfrytëzuar situatën e vështirë financiare të viktimës. Për më tepër, i pandehuri ka lidhur parakontratë për marrjen e një banese në sipërfaqe prej 100m2 dhe një lokal me sipërfaqe prej 100 m2 në katin përdhesë dhe një garazhë me vlerë të përgjithshme prej 180,000 euro, duke shkaktuar dëm të madh financiar të dëmtuarit L.K., dhe vëllaut të tij M.K. Me këto veprime, i pandehuri L.A., ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së. I pandehuri Xh.K., gjatë vitit 2022 e deri në fillimin e hetimeve, në Suharekë, duke përfituar nga gjendja e rënduar financiare e të dëmtuarit M.K, i jep këtij të fundit një shumë prej 10,000 euro me kamatë mujore prej 30%. I dëmtuari për një vit paguan nga 3,000 euro në muaj, duke ia dorëzuar gjithsej 36,000 euro vetëm në emër të kamatave, ndërsa borxhi bazë mbetet i papaguar. Më pas, për shkak të pamundësisë për të vazhduar pagesat, i dëmtuari i dorëzon të pandehurit krerë lopësh në vlerë prej 36,000 euro, ndërsa ky i fundit i shlyen për të edhe një borxh prej 37,000 euro ndaj një personi tjetër dhe në këmbim përpilojnë një parakontratë për shitblerjen e një lokali prej 100 m² me vlerë të deklaruar vetëm 20,000 euro, në emër të bashkëshortes së vëllait të të dëmtuarit.

Gjatë një takimi më 23.08.2024, i pandehuri deklaron se obligimet e të dëmtuarit ndaj tij kishin arritur shumën prej 129,000 euro, duke përfshirë edhe dy vetura në vlerë prej 21,000 euro. Me këto veprime, të dëmtuarve M.K. dhe L.K., u është shkaktuar dëm në shkallë të madhe. Me këto veprime i njëjti ka kryër veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së. Po ashtu, Xh.K., ka mbajtur në mënyrë të paautorizuar një armë zjarri – pistoletë të llojit “Mauser – Ëerke Oberndorf GMBH” kalibër 9mm së bashku me një karikator dhe nëntë fishekë. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së. I pandehuri D.G., nga qershori i vitit 2021 deri në fillimin e hetimeve dhe më pas, në Suharekë, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, i jep të dëmtuarit M.K., para me fajde në shumë prej 20,000 euro me kamatë mujore 8%. Brenda një muaji e gjysmë, i dëmtuari merr në total 120,000 euro kesh, duke paguar çdo muaj kamata prej 10,000 euro, dhe në total gjatë 12 muajve paguan 120,000 euro kamata.

Në qershor 2023, pasi i dëmtuari nuk mund të vazhdojë pagesat, i pandehuri kërkon nga ai dhe vëllai i tij L.K., shumën prej 320,000 euro në emër të kamatave, duke kërkuar në këmbim 750 m² banesa në fshatin Shirokë. Nga frika, të dëmtuarit pranojnë, por për shkak të vonesave në ndërtim, në maj 2024 i pandehuri kërkon rritjen e sipërfaqes së banesave në 1,180 m² (ekuivalent i 11 banesave) dhe nënshkruan parakontratë me datë 20.03.2023 për këtë shitblerje. Me këto veprime, i pandehuri i shkakton të dëmtuarve humbje të konsiderueshme prej 767,000 euro. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së. Po ashtu, D.G., nga 08.02.2024 dhe në vazhdimësi, në Suharekë dhe Prishtinë, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, përdor forcë dhe kanosje serioze ndaj të dëmtuarve M.K., dhe L.K., për t’i detyruar të japin pronat e tyre. Më 08.02.2024, gjatë një takimi Prishtinë, ai i merr me makinë dhe gjatë rrugës, duke e kanosur M.K.,, arrijnë marrëveshje që të japin banesat prej 1,180 m² (ekuivalent i 11 banesave) në Shirokë si pagesë për borxhet dhe kamatat. Këto veprime i shkaktojnë të dëmtuarve dëm prej 767,000 euro.Me këto veprime ka kryer veprën penale “Detyrimi” I pandehuri K.K., nga korriku 2024 dhe në vazhdimësi, në Suharekë, duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të të dëmtuarit M.K., i jep borxh 2,600 euro me kamatë javore prej 450 euro.

Për shkak të pamundësisë për pagesë, kamatat për 16 javë grumbullohen dhe së bashku me borxhin bazë arrijnë në 9,800 euro. Këto veprime i shkaktojnë të dëmtuarit dëm në shumën prej 9,800 euro. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së. Prokurori i shtetit, me ngritjen e aktakuzës ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, ndër të tjera: Banesa dhe lokale, me sipërfaqe të përgjithshme prej 2,226 m2; Para në vlerë 9240 €; Para në vlerë 1860 Franga; Armë; Telefona, Automjete, dokumente dhe gjësende tjera revelante Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Të tjera