Mbrojtja për Jock Covey: Do të tregojë se Thaçi s’ka pasur autoritet mbi UÇK-në

Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq tha se dëshmitari James Peter Covey i cili ka shërbyer në Kosovës si zëvendës i Bernard Kouchnerit, do të tregojë për rolin që ka pasur Thaçi gjatë asaj kohe.

“James Peter Covey ka shërbyer në Kosovë si zëvendësi kryesor i përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm, Bernard Kouchner nga periudha 15 korrik 1999 deri në janar 2001. Në këtë rol, zoti Covey ka luajt një rol shumë të rëndësishëm për zbatimin e mandatit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që njihet ndryshe si UNMIK sipas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 në Kosovë dhe ka punuar ngushtë me përfaqësues në Kosovë, aktorë të ndryshëm dhe me figura politike në Kosovë duke përfshirë këtu edhe zotin Hashim Thaçin”, tha Mishetiq.

Kush është Jock Covey që sot po dëshmon në Hagë në mbrojtje të Thaçit?

Jock Covey ka shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, nën administratën e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Covey ka qenë në këtë rol gjatë periudhës kur Bernard Kouchner ka udhëhequr UNMIK-un, duke luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e situatës pasluftës në Kosovë.

Në atë kohë, Covey ka kontribuar aktivisht në ndihmën për krijimin e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes, duke qenë një faktor kyç në zhvillimin e strukturave të shtetit të Kosovës në vitet e pasluftës.

Përveç kësaj, ai ka pasur një angazhim të theksuar në proceset e sundimit të ligjit, forcimin e paqes dhe stabilizimin e Kosovës, në një kohë kur vendi po kalonte nëpër një periudhë të pasigurisë dhe pasojave të luftës.

Pjesë e dëshmisë së tij, Covey pritet të flasë për bashkëpunimin që ai ka pasur me Hashim Thaçin, si dhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke ofruar një pasqyrë të situatës në Kosovë gjatë kohës që ai ka shërbyer si zëvendës i Kouchnerit.

Ky është dëshmitari i katërt që paraqitet në mbrojtje të Hashim Thaçit, pas James Rubin, Paul Williams dhe John Duncan.

Të tjera