Ndryshimi i trendeve për një shëndet më të mirë nuk është luks, por nevojë.
Nëse nuk e shohim kështu, do të vazhdojmë të luftojmë pasojat me barna, në vend se të parandalojmë sëmundjet me stil jetese.
Më shohin shtrembër kur kërkoj një pije pa sheqer, sikur të kërkoja helm. Kur kërkova mazë me pak yndyrë, shitësi u habit – jo pse nuk kishte, por sepse askush nuk pyet. Kjo tregon mungesën e një kulture qytetare të kujdesit për shëndetin.
Në vendet e zhvilluara, politika e tregut, edukimi dhe kultura ecin dorë për dore për ta bërë shëndetin pjesë të përditshmërisë. Raftet e dyqaneve në Skandinavi janë plot me produkte pa sheqer, bio, bukë integrale, produkte qumështi me pak yndyrë. Nuk është luks, është zgjedhja më normale për konsumatorin. Tek ne, përkundrazi, raftet shpesh duken si laborator kimik.
Ndryshimi i kësaj nuk vjen vetëm me predikime, por me politika dhe partneritete. Shteti duhet ta stimulojë fermerin që raftet tona të mbushen me ushqime të shëndetshme. Vetëm atëherë mund të krijojmë trendin që parandalon sëmundjet, në vend se t’i luftojmë ato me receta të pafund.
Në Perëndim, i moshuari që ecën shihet me respekt. Tek ne, shpesh bëhet objekt humori. Në Perëndim, mjeku të pyet për lëvizjen, aktivitetet dhe ushqimin. Tek ne, farmacia është institucioni më i vizituar. Ky kontrast nuk është thjesht kulturor – është pasqyrë e një strategjie që mungon.
Ironia është e qartë: shëndetin e trajtojmë si çështje private, por pasojat i paguan krejt shoqëria. Shteti derdh miliona në barna e spitale, ndërsa më e lehtë do të ishte me investu në edukim, ushqim të shëndetshëm e kulturë lëvizjeje.
Nëse nuk e bëjmë parandalimin trend, kemi me mbetë peng i trendit që veç e njohim: sheqer në kafe, duhan në xhep dhe recetë në dorë.
Shëndeti nuk është luks. Shëndeti është mënyra më e lirë për të mos e kalu jetën në pritje te mjeku. Dhe kjo është një trend që ia vlen me e ndjekë.
Të tjera
Aktuale
GAP: Kryetarët e komunave dhanë 1815 premtime, realizuan vetëm 918
Instituti GAP ka publikuar raportin për
Uncategorized
Vajza me prejardhje nga Kosova shpallet Miss Finlanda 2025
Me një baba nga Kosova dhe
Aktuale
Video nga sulmi terrorist ne Jeruzalem ku mbetën pesë persona të vdekur
Mëngjesi i së hënës ishte i