Lagjia ‘Mati 1’ dhe 86 objekte të vjetra banesore në ‘Ulpianë’, ‘ Dardani’, ‘Pejton’, ‘Qafa’ ‘Bregu i Diellit’ do kyçen nga ky vit në rrjetin e ngrohtores së qytetit ‘Termokos’.
Kështu ka bërë të ditur për Kallxo zëdhënësja e kësaj ndërmarrje Afërdita Uka.
“Në sezonin e ri ngrohës 2022/2023 për herë të parë në rrjetin e ngrohjes do të kyçen 141 objekte të reja banesore të lagjes “Mati 1”. Në kuadër të këtij projekti do të ketë edhe dendësim të rrjetit të ngrohjes në disa zona të kryeqytetit për disa nga objektet më të vjetra banesore, të cilat nuk e kanë pasur të instaluar as infrastrukturën e brendshme të sistemit të ngrohjes. Janë gjithsejtë 86 objekte banesore të lagjes “Ulpiana”, “Dardania”, “Pejton”, “Qendër”, “Qafa” dhe “Bregu i Diellit”, të cilat gjatë këtij sezoni ngrohës do të kyçen për herë të parë në rrjetin tonë të ngrohjes” – ka deklaruar Uka.
Ajo tutje shtoi se arsyet pse ‘Mati 1’ nuk është kyçur nga viti i kaluar siç ka qenë në plan, është për shkak se prej kohës së planifikimit për shtrirje të rrjetit ka pas vazhdimisht ndërtim të objekteve të reja banesore, duke i detyruar të bëjnë ridizajnim të shtrirjes së rrjetit.
Projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, është duke u realizuar me fondet e ndara nga Qeveria gjermane nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në vlerë të 12 milionë eurove.
“Duke u bazuar në master planin për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes të hartuar nga ekspertë gjerman, ka qenë e planifikuar kyçja në rrjetin e ngrohjes të 100 objekteve banesore të kësaj zone. Nga koha e planifikimit deri tek fillimi i realizimit të punimeve në terren situata ka ndryshuar shumë dhe ndërkohë atje janë ndërtuar edhe 41 objekte të reja banesore” – tha Uka.
“Për faktin se rrjeti i ngrohjes do të kalonte edhe përskaj këtyre objekteve të reja dhe që të mos anashkalohen ato, është ridizajnuar plani fillestar për shtrirjen e rrjetit dhe janë përfshirë edhe këto 41 objekte banesore, kyçja e të cilave është mundësuar nga fondet e ndara nga NP “Termokos” në vlerë të mbi 1 milion eurove” – shtoi më tej Uka.
Zëdhënësja e Termokos-it potencoi se furnizimi me ngrohje për këtë lagje do fillojë gradualisht në këtë sezon dhe deri në përfundim do furnizohen me ngrohje të gjitha objektet banesore të lagjes./Botapress.info/