Familja Kryeziu në fshatin Bubavec të Malishevës ka mbetur pa kulm mbi kokë pasi zjarri kaploi shtëpinë e tyre, e cila u bë shkrumb e hi. Zjarri nisi nga kulmi dhe përfshiu dy katet e shtëpisë, por fatmirësisht asnjë nga shtatë anëtarët e familjes nuk u lëndua. Kështu ka bërë të ditur kryefamiljari.
I trishtuar se mbetën pa shtëpi, ai ka thënë se dyshimet e tij janë që shkaktar i zjarrit mund të jetë energjia elektrike, problem ky me të cilin përballet Malisheva që një kohë.
Pensionistët kërkojnë reformë të skemës pensionale: S’mund të mbijetosh me 100 euro në muaj
Ai ka deklaruar se aty ka jetuar më gruan dhe pesë fëmijët e tij, për të cilët u shpreh i pikëlluar se iu shpëtuan vetëm rrobat që i kishin në trup.
Zjarri që përfshiu shtëpinë dykatëshe u shua pas orës 21:00, pasi në vendin e ngjarjes dolën të gjitha njësitë përkatëse, me ç’rast u shkyç edhe energjia elektrike.
Përveç Policisë dhe njësiteve të Zjarrfikësve, Sinjali mëson se së shpejti pritet të dalin në vendin e ngjarjes edhe ekspertët, në mënyrë që të zbardhen rrethanat se si erdhi deri te zjarri.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ajo që dihet deri më tani është se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për rastin e iniciuar si “Incident zjarri”.