Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës kanë paralajmëruar protestë në rast se institucionet e shtetit nuk i përmbushin kërkesat e tyre.
Në reagimin e tyre, të cilin thonë se ia kanë dërguar edhe kryeministrit Albin Kurti dhe dikastereve relevante, ata thonë se janë në një situatë shumë të rëndë sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.
Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me shtesat për rrezikshmëri në punë, kërkesë e cila thonë se është injoruar tash e sa kohë, ndërsa thonë se e njëjta është realizuar për policinë e Kosovës.
“Sot në mbledhjen e Qeverisë, me vendim u siguruan mjetet për rrezikshmëri në punë për policinë e Kosovës, ky vendim selektiv vetëm për një kategori të institucionit për siguri, duke i përjashtuar zjarrfikësit, institucionin me specifika të veçanta, ndër profesionet me rrezikshmëri të lartë për shëndetin dhe jetën, ka irrituar dhe ka shqetësuar pa masë zjarrfikësit e Kosovës. Ky vendim është i papranueshëm, edhe një herë dëshmon se zjarrfikësit nuk kanë përkujdesje institucionale, pa mbështetje, të diskriminuar me vite, të denigruar dhe të përbuzur me dekada”.
“Zjarrfikësit e Kosovës ende nuk janë kompensuar për ndërrime të natës, festat shtetërore dhe fetare, orët jashtë orarit (për vitin 2022) mandej moskompensimi i obligimeve për shtesa edhe të vitit 2023 dhe mospagesa edhe e orëve jashtë orarit ë ftuar në mobilizim në veri, kjo gjendje dhe ky diskriminim ka arritur kulmin dhe zjarrfikësit e Kosovës kërkojnë drejtësi dhe kërkesat të plotësohen urgjentisht”, ka thënë kjo sindikatë në reagimin dërguar mediave.
Ata thonë se deri më tani asnjë përgjigje lidhur me kërkesat e tyre nuk kanë marrë nga institucionet shtetërore.
Kërkesat e Sindikatës së Zjarrfikësve janë:
- TË FILLOJË TË KOMPENSOHET RREZIKSHMËRIA NË PUNË;
- SIGURIMET SHËNDETËSORE;
- TË RRITET STAFI ME ZJARRFIKËS TË RINJ, NUMRI I TANISHËM JASHTË ÇDO KRITERI;
- KONTROLLET SISTEMATIKE TË ZJARRFIKËSVE;
- TË KOMPENSOHEN OBLIGIMET PËR ORËT JASHTË ORARIT, FESTAT SHTETËRORE DHE NDËRRIMET E NATËS PËR VITIN 2022, SIÇ JEMI DAKORDUAR NË TAKIM MBAJTUR ME DT. 19.11.2021 ME ZV. KRYEMINISTRIN Z. BESNIK BISLIMI, MINISTRIN Z. HEKURAN MURATI DHE MINISTRIN, Z. XHELAL SVEÇLA;
- TË KOMPENSOHEN NDËRRIMET E NATËS, FESTAT SHTETËRORE DHE ORËT JASHTË ORARIT PËR VITIN 2023;
- TË DEFINOHEN KOMPETENCAT MENAXHUESE NË MES AME/MPB-KOMUNA
- TË PËRMIRËSOHEN KUSHTET E PUNËS, TË SIGUROHEN PAJISJE DHE MJETE PËR PUNË; DHE
- TË SIGUROHET SHUJTA