Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se veprimet e Kosovës rreth dialogut gjatë muajve të fundit, paraqiten më së miri në raportin e ambasadorit në ShBA, Ilir Dugolli.
Abdixhiku në Klan Kosova ka thënë se Kosova nuk e ka shfrytëzuar mirë momentumin kur ndërkombëtarët janë investuar dukshëm në dialogun mes dy vendeve.
“Këtë momentum, duhej ta shfrytëzonim mirë për interesat e Kosovës. Ajo që bëmë ne, ndoshta më së miri e paraqet raporti i ambasadorit në ShBA, Ilir Dugollit. Ai raport flet qartë për relacionet e Kosovës me ShBA-të. Pra në këto relacione ne kishim një marrëdhënie brutale, të moskoordinimit jo vetëm në politikën ndërkombëtare, po edhe refleksion prej politikës së brendshme.” – ka thënë ai.
Përveç kësaj, kreu i LDK-së ka përmendur edhe komunikatën e Departamentit të Shtetit ku shprehej i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës në lidhje me vendimin për targat.
Gazetari që e intervistoi fillimisht e pyeti Abdixhikun: “Ju thatë qeveritë e tjera kanë qenë më të vëmendshme dhe s’kanë rënë në provokime?”.
Abdixhiku, ndaj kësaj pyetje u përgjigj si vijon: “Patjetër, nuk po themi që s’kemi pasë gabime, po jo kësi soji. Jo në përmasën që DASh-i të shpërfaqë deklaratën zhgënjyese, për herë të parë ndoshta në historinë e Kosovës, se termi zhgënjyes është fjalë e rëndë në diplomaci”.
Në fund të deklaratës rreth kësaj çështje, kreu i LDK-së tha se komunikata e ShBA-së dhe raporti i ambasadorit Dugollit, tregojnë qartë për marrëdhëniet Kosovë-ShBA.
“Këto dy lexime ta japin të qartë përshtypjen për relacionin. Këto nuk janë fjalë të mijat. Është relacion brutal, fjala brutal thuhet në këtë raport.” – tha ai.