Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka pretenduar se ka audio-incizime që dëshmojnë kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Abazi ka thënë se Prokuroria duhet ta intervistojë kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e disa anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes.
“Unë ju thashë që ka monitorim 24-orësh në IML. Nuk besoj se kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Prokuroria duhet ta marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihailin, Nazlie Balajn dhe Albulena Haxhiun dhe Flutura Goga-Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për t’u mbajtë mbi supet e qytetarëve dhe këtij vendi që realisht kërkon drejtësi”, ka thënë Abazi.
Lidhur me këtë ka folur kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, i cili ka thënë se të hënën do të ftohen për intervistim kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu.
“Nëse ka thënë ashtu, ne nëser do ta intervistojmë Kurtin e Haxhiun. Në fakt të hënën, meqenëse nesër nuk është ditë pune, menjëherë në ditën e ardhshme të punës, do t’i intervistojmë”, ka thënë Isufaj për Nacionale.
Lidhur me pretendimet e tij, do të intervistohet edhe vetë Abazi, pasi që sipas Isufajt, kushdo që ka informacione, do të dëshmojë para organeve të hetuesisë.
“Nëse ka thanë se ka informata, natyrisht se do ta intervistojmë. Kuzhdo që thotë se ka informacione, ai ka me ardhë më dëshmu,” tha Isufaj.