Votuesit kanë dhuruar disa raste të shokut të thellë ndaj stabilitetit të botës në vitin që po shkon – por asgjë në krahasim me ato që mund t’i presim më 2024.
Opinion nga David A. Andelman
Vitin që po vjen, shtetet që e kanë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës do të mbajnë zgjedhje, thekson gazeta “The Economist”. Më shumë se katër miliardë njerëz jetojnë në shtetet ku do të votohet.
Siç kam parë gjatë dy viteve të kaluara, duke bërë kronika për zgjedhjet nëpër botë, janë shfaqur modele, nganjëherë të frikshme. Nëpër secilin kontinent, është bërë krejt e lehtë që votuesit thjesht t’i refuzojnë filozofitë e gjata liberale për premtime shkëlqyese të ofruara nga ekstremet – shpesh nga e djathta ekstreme populiste.
E perspektiva për ndryshime dramatike vetëm po rritet.
Viti i zgjedhjeve kyçe nis me Bangladeshin në janar. Atje tashmë ka pasur protesta anti-qeveritare, të nxitura nga partia kryesore opozitare, Partia Nacionaliste e Bangladeshit, udhëheqësit e së cilës janë të burgosur ose në ekzil. Kjo parti ka kërcënuar se do t’i bojkotojë zgjedhjet, nëse kryeministrja Sheikh Hasina nuk jep dorëheqje dhe nëse nuk ia dorëzon pushtetin një qeverie në detyrë para zgjedhjeve të përgjithshme. Sipas shumë gjasave, Hasina do ta vazhdojë sundimin e saj të hekurt prej 15 vjetësh.
Në Indonezi do të mbahen zgjedhjet më të mëdha njëditore në botë pak më vonë – më shumë se 200 milionë votues në vend e 1,75 milion në diasporë – edhe pse ka pak gjasa që votuesit ta dobësojnë kapjen e pushtetit nga bizneset e pasura e elitat ushtarake.
Në Afrikë të Jugut do të mbahen zgjedhje në kohën me trazira pas periudhës së Mandelës. Kur banorët e këtij shteti votuan në zgjedhje komunale para dy vjetëve, partia e Mandelës fitoi për herë të parë më pak se 50 për qind të votave. Votuesit ishin të trazuar nga rrëmuja dhe korrupsioni, nga të cilat është karakterizuar një pjesë e madhe e pushtetit të saj 30-vjeçar. Nëse kjo frymë e dobësimit të partisë vazhdon në zgjedhjet e përgjithshme më 2025, do të jetë një moment përcaktues në historinë politike të Afrikës së Jugut.
Duke shikuar në Evropë, në këtë kontinent do të ketë zgjedhje parlamentare në nëntë shtete, ku njëra nga sfidat më të mëdha për qeveritë e reja do të jetë gjetja e partnerëve për koalicioni për ta formuar shumicën.
Mbajini sytë nga zgjedhjet e parakohshme në Portugali në mars. Ato vijnë pasi një hetim për korrupsion e detyroi kryeministrin socialist që të tërhiqej pas tetë vjetëve në pushtet dhe mund ta sjellin lajmin e kalimit të votuesve në krahun e partisë së të djathtës ekstreme, Chega (Mjaft). Po ashtu, e djathta duket se do të shënojë fitore të mëdha në zgjedhjet e Austrisë, që do të mbahen në vjeshtë.
Në fund të janarit të vitit 2025 priten zgjedhjet e përgjithshme në Britani të Madhe, që do të thotë se mund të shohim votues britanikë duke shkuar në qendra të votimit në fund të vitit 2024 – dhe madje mund ta shohim kthimin e Partisë Laburiste në pushtet pas 14 vjetëve të tensionuar të pushtetit të konservatorëve.
Shkojmë në Amerikë Latine. Meksika pritet të bëhet me presidenten e parë grua, pasi dy janë në garë në emër të partive kryesore për zgjedhjet e qershorit, ku droga, krimi e migrimi drejt ShBA-së janë në krye të agjendës politike. Në Venezuelë, udhëheqësi nacionalist e shumë i paparashikueshëm, Nicolas Maduro, do të kërkojë një mandat të ri. Në pyetje është edhe beteja kufitare me Guajanën fqinje, ku ka mosmarrëveshje për të drejtat për nxjerrjen e naftës.
Sidoqoftë, janë pesë gara posaçërisht dramatike, të cilat ia vlen të vihen në pah.
Tajvani më 13 janar
Në pyetje janë çështje posaçërisht të rëndësishme, në kohën e tensioneve të ngritura mes Pekinit e Taipeit, përderisa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë që të zotohen për ta garantuar demokracinë e Tajvanit.
Me tre kandidatë për presidentë, i zgjedhuri i Partisë Demokratike Progresiste, e cila është në pushtet, Lai Ching-te, nuk i pëlqen aspak Kinës. Ai është zotuar që ta vazhdojë mbrojtjen e vendosur të sovranitetit të ishullit, që është përforcuar nga presidentja e tanishme, Tsai Ing-wen. I dyti, Hou Yu-Ih, nga opozita, dëshiron që të fillojë të flasë me Pekinin. I treti, Ko Wen-je nga Partia Popullore e Tajvanit, ish kryetar i Taipeit, ofron terren më të mesëm, më afër pajtimit.
Nëse votuesit e zgjedhin status-kuonë, pritni që Pekini ta shtojë presionin. “Zgjedhje mes luftës e paqes”– ishte përgjigjja zyrtare kineze, pasi bisedimet e unitetit mes partive opozitare dështuan në nëntor.
Rusia më 17 mars: Putini po lë pak zgjedhje
Ka pak dyshime statusin “president përjetë” të Vladimir Putinit në fushatën e tij formale për t’u rizgjedhur. Ai do të jetë 78 vjeç në fund të mandatit, duke e tejkaluar Josef Stalinin si sundimtari më i gjatë rus që nga koha e Katerinës së Madhe.
Putini po i lë pak rastit. Deri më tani, ai duket se ka vetëm një kundërshtar, i sanksionuar zyrtarisht – Alexei Nechaev, biznesmen i kozmetikës, i cili rastis që të jetë anëtar i koalicionit politik të Putinit.
Mund të ketë kaos, siç kishte në mbarë Rusinë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, edhe pse qindra mijëra zëra potencialisht kundër Putinit kanë ikur nga vendi gjatë pushtimit të Ukrainës.
Me mundësinë shumë reale që kjo mund të jetë zgjedhja e fundit e presidentit rus – duke e marrë parasysh moshën e tij – një Putin i trimëruar pas zgjedhjeve mund ta hedhë syrin drejt një përpjekjeje edhe më të gjerë e më destabilizuese për ribashkimin e një perandorie sovjetike. Rreziku për ballafaqim të drejtpërdrejtë me NATO-n vështirë se duhet të përjashtohet.
India në prill e maj: shteti më i populluar në botë, në udhëkryq
Shndërrimi i shtetit më të populluar në botë nga një demokraci kumbuese në shtet nacionalist hindus që i afrohet teokracisë është në pyetje për Indinë në këto zgjedhje, që pritet të mbahen gjatë disa javëve në prill e maj.
Kryeministri Narendra Modi ia kushtoi mandatin e parë betonimit të një nacionalizmi të palëkundur hindus. Jashtë kanë mbetur rreth 200 milionë myslimanë e 28 milionë të krishterë. Ka frikë se fitorja e pritshme e Modit do t’i lejonte atij që ta kompletojë atë që ai e sheh si element qendror të misionit të vet.
Mujain e ardhshëm, Modi do të inaugurojë një tempull të madh hindus, të ngritur mbi gërmadhat e një xhamie të vjetër – pohim simbolik i mbizotërimit për Modin dhe për tërë hindusët e Indisë.
Si merret ShBA-ja me një individ të tillë – qendror për botën në zhvillim dhe në të njëjtën kohë, partner i rëndësishëm tregtar, kundërpeshë ndaj Pakistanit dhe animit të tij nga Rusia e Kina e mburojë strategjike kundër zgjerimit të pakontrolluar kinez në Paqësor?
Parlamenti Evropian në qershor: Anim i madh nga e djathta?
Qershori do të jetë moment kritik për të ardhmen e Evropës, pasi Parlamenti Evropian i mban zgjedhjet e para që nga tërheqja e Britanisë.
Themelet e një ndryshimi potencialisht të madh në anën e së djathtës kanë qenë duke u ndërtuar me vite, qartazi duke fituar terren gjatë tërë vitit 2023. Konservatorët Evropianë dhe Reformistët (ECR) mund të bëhen grupi i tretë më i madh në përbërjen e re të Parlamentit Evropian.
Një bllok i tillë i vendosur i djathtistëve e euroskeptikëve do të mund të hidhte rërë në marshet e programeve të moderuara të BE-së dhe do të mund ta ndihmonte animin nga e djathta brenda shteteve udhëheqëse si Gjermania e Franca.
Në pyetje: ndihma e mëtejmë për Ukrainën, sanksionet kundër Rusisë (tashmë subjekt i bllokimit nga Hungaria e Sllovakia), frenimi i migrimit, kthimi prapa rreth kontrolleve për mbrojtjen e klimës, drejtësia e sundimi i ligjit në mbarë BE-në dhe ndryshimi i qasjes së Evropës ndaj Kinës.
ShBA-ja më 5 nëntor: Faktori Trump e përtej tij
Edhe nëse Donald Trumpi nuk zgjidhet president, votimi dhe fushata deri te zgjedhjet e 5 nëntorit mund ta shthurin rrobën e demokracisë në Shtetet e Bashkuara. E nëse ai zgjidhet, kjo mund të ketë efekte të valëzuara për pjesë të mëdha të botës.
Si do të dukej NATO-ja në rast të tërheqjes së ShBA-së nga Trumpi? Imagjinojeni rehatinë për ata që do ta çmontonin aleancën tërësisht.
Pastaj janë të gjithë diktatorët dhe diktatorët e mundshëm për të cilët Trumpi ka shprehur fjalë të ngrohta. Gjatë fushatës në New Hampshire të shtunën, Trumpi e citoi Putinin, kur ai e kishte quajtur presidentin Joe Biden “kërcënim për demokracinë”. Në të njëjtën ngjarje, ai i çmoi udhëheqësin e Koresë Veriore, Kim Jong Un, dhe nacionalistin e ashpër të Hungarisë, kryeministrin Viktor Orban.
Si do të mund të përktheheshin në veprime këto fjalë në rast të një presidence të Trumpit? Pas të gjithave, ai tashmë është zotuar se do ta vizitojë presidentin e ri bombastik të së djathtës radikale në Argjentinë, Javier Milei, i cili e ka sugjeruar zëvendësimin e pezosit me dollarin amerikan, ndërsa u ka hyrë me sharrë burokracisë dhe buxheteve.
Se ku do të jetë bota pas një viti, do të përcaktohet nga miliarda votues që do t’i vizitojnë ose do t’i shmangin kutitë e votimit me shkallë të ndryshme të lirisë dhe transparencës – dhe nga politikanët që do të tregojnë se deri në çfarë shkalle e respektojnë zgjedhjen që e kanë bërë popujt e tyre.
Shpresojmë që ata të bëjnë shqyrtime me kujdes e të votojnë me mençuri.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli