Në pritjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka nisur sot Samiti për Ukrainën, i cili po mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, e ku janë mbledhur liderët e Evropës Juglindore, përfshirë edhe presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas pritjes së të ftuarve, i pari e mori fjalën nikoqiri Rama, i cili u bëri thirrje shteteve demokratike të rajonit, por edhe atyre më të pasura që të vazhdojnë të mbështesin financiarisht dhe ushtarakisht Ukrainën, sepse sipas tij, prej kësaj mbështetje varet mbijetesa e Ukrainës.
“Mënyra për t’i dhënë fund luftës nuk është çarmatosja e viktimës për ndalja e agresorit. Shpërblimi i një agresori që pushton territorin e një shteti sovran nuk sjell paqe, por hap rrugën për më shumë luftë”, tha Rama.
Rama tha se Putin nisin luftën e paprovokuar ndaj Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, sepse ai ishte “i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake”.
“Prania juaj këtu është përkujtues se ai ka dështuar, pavarësisht fuqisë ushtarake dhe propagandës toksike, Rusia neoimperialiste ka dështuar të shtypë Qeverinë ukrainase të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ka dështuar të shtypë vullnetin e ukrainasve që të jetojnë në një shtet të lirë, pavarur dhe demokratik. Ka dështuar që të heshtë të vërtetën”, tha Rama.
Menjëherë pas Ramës, fjalën e mori presidenti Zelensky, i cili tha se se udhëheqësi rus, Vladimir Putin, po përdor diktate të shkuarës për të bërë që shtetet të veprojnë siç do ai.
Sipas tij, Evropa duhet të jetë hapësira ku çdo shtet përcakton fatin e vet.
“Ne kemi parë në të kaluarën që ka pasur njerëz që janë përpjekur për të përcaktuar fatin e kombeve të tjera. Kjo ka ndodhur në Ballkan, Evropën lindore dhe pjesë të tjera të Evropës. Tani Putini dëshiron ta bëjë këtë. E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që ai bën, është për të detyruar kombet e tjera të bëjnë siç do ai. Prandaj është e rëndësishme për të gjitha shtetet tona që Putini, regjimi i tij, të humbasë, sepse dështimet e tij janë siguria jonë e përbashkët”, tha ai.
Udhëheqësi ukrainas falënderoi shtetet e Evropës juglindore për ndihmën e ofruar për shtetin e tij në luftë, por edhe në integrimin evropian. Ai tha se të gjitha shtetet në rajon, që ndajnë vlera evropiane, duhet të integrohen.
Ai tha po ashtu se të gjitha shtetet në rajon, që kultivojnë vlerat evropiane, duhet të integrohen në BE.
“BE-ja dhe NATO-ja i kanë ofruar Evropës epokën më të gjatë dhe më të fortë të sigurisë paqes dhe zhvillimit ekonomik dhe ne meritojmë që në fund të jemi pjesë e komunitetit evropian dhe euroatlantik”, tha ai.
Duke folur për mbrojtjen, Zelensky tha se është i interesuar të rrisë bashkëpunimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor, veçmas në fushën e bashkëprodhimit të municioneve.
“Ne shohim se problemet me municion po ndikojnë në situatën në fushëbetejë [në Ukrainë]. Ne jemi të interesuar për bashkëprodhim ne ju dhe me të gjithë parnerët e tjerë. Ekipi ynë qeveritar do të prezantojë detajet për mbajtjen e një forum të industrisë së mbrojtjes së Ukrainës dhe Ballkanit në Kiev, apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja”, tha ai.
Në samitin në Tiranë liderët do të diskutojnë për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen e Kievit në luftën e tij kundër pushtimit rus.