Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se kushdo që mendon se Mini-Shengeni është gatuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë jeton në botë paralele. Rama këto komente i beri nga Forumi Rajonal për Bashkëpunim Ekonomik që po mbahet në Shkup duke thënë se inciaitiva e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është e hapur për të gjitha shtetet e rajonit që duan t’i bashkohen.
“Kush thotë se kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’ia dhënë hegjemoninë Serbisë sepse është më e madhe dhe do vijë të na marrë krejt çka kemi, e para jeton në një botë paralele e dyta, jeton për politikë në lëkurën e njerzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta harron se po të nisemi kështu atëherë edhe BE është një Jugosllavi e madhe, nëse BE është një Jugosllavi e madhe atëherë kjo është një Jugosllavi e vogël. Por jo kjo është një hapësirë që jeton me mekanizmat e BE-së në ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekje për t’u integruar në BE”, u shpreh Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar më parë se “mini-Schengeni” mund të jetë vizioni i Serbisë për një Jugosllavi të re.
“Më duhet të jem i sinqertë se Minishengeni Ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re. Minishengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit”, shprehej Kurti.
Rama poashtu tha se rajoni nuk mund të mbetet peng i së shkuarës.
“Mozaiku i pjesëmarrjes sot është përtej tri vendeve tona, dhe besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme. Këtu janë të pranishëm ata që krijojnë punë, të ardhura dhe duan të shkojnë më tutje, dhe është shumë e qartë që kjo nismë është gjëja e duhur dhe jo vetëm është gjëja e duhur por ndryshe nga çfarë predikojnë disa është edhe e vonuar.Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i të shkuarës në asnëj aspekt dhe kush nuk e kupton akoma se sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona për të hapur perspektivë është i dënuar të jetojë në të shkuarën”, tha ai.
Ai tha se nisma e tri shteteve s’është asgjë e re por e ngjashme me 4 liritë themelore të BE-së.
“Ne duam të projektohemi për të ardhmën përmes një nisme e cila nuk shpik asgjë të re, por thjesht sjell në këtë rajon një shembull kuptimplotë që është Bashkimi Evropian, duke jetësuar katër liritë themelore të BE-së, lëvizjes së njerëzve,mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve.Në momentin që ne integrohemi në BE do të bëjmë ekzaktësisht këtë që po bëjmë sot, pa Bashkimin Evropian. Pra nesër si pjesë e BE-së nuk do të ketë diskutime nëse këto 4 liri do të zbatohen në rajonin tonë”, tha kryeministri shqiptar.
Ai tutje tha se integrimin e rajonit do ta bëjnë tani para se të hyjnë në Bashkimin Evropian.
“Nuk kemi ne pse presim që integrimin e rajonit ta bëjmë pasi të kem hyrë në BE, ne do ta bëjmë tani. Sa herë duhet ta përsërisim që kjo nuk është një nismë e tre shteteve, kjo nismë që është e hapur për të gjithë, cili do që dëshiron të na bashkohet është i mirëpritur. Ne nuk kemi luksin që të humbasim kohë sepse kemi humbur shekuj”, tha Rama.
Zaev, Rama dhe Vuçiq ia ndryshojnë emrin Minishengenit, kështu do ta quajnë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se projekti i Mini-Shengenit Ballkanik, që synon bashkimin në një treg të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë ende pjesë e Bashkimit Europian, siguron pikërisht 4 liritë themelore të unionit.
“Liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Qëllimi është të mos ketë ndalje në kufi mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë, dhe në të ardhmen shpresojmë edhe më gjerë”, tha Zaev në një konferencë për mediat, para nisjes së takimit me kryeministrin Rama dhe presidentin e Serbisë, Vuçiç, në kuadër të Forumit Ekonomik të Shkupit.
Zaev tha se vendet e rajonit nuk mund të presin sa plotësohen kushtet e brendshme të Bashkimit Europian.
“Dëgjuam apelin e bizneseve të rajonit dhe nisëm hapat e eliminimit ose pakësimit të procedurave administrative. Kjo do ta bëjë Ballkanin më tërheqës si treg. Moshapja e negociatave dhe mos liberalizimi i vizave në Kosovë, është kundër parimeve të vetë BE. Prandaj ne nuk mund të presim të zgjidhen problemet e brendshme të BE. Ne do të presim kur BE të jetë gati, por duke pasur nismat tona të përbashkëta ekonomike”, tha Zaev.
Zaev e ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës.
Ndërkohë raportohet se emri i ri i Shengenit ballkanik do të jetë ‘Open Balkan’.
Sot mbahet Forumi ekonomik në Shkup
Këtë të enjte në Shkup mbahet forumi ekonomik rajonal me pjesëmarrjen e kryeministrave të Maqedonisë Veriore Zoran Zaev, atij të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Një ditë para samitit, të tre liderët kanë bërë një shëtitje së bashku në sheshin e Shkupit.
Takimi mbahet në kuadër në iniciativës së bashkëpunimit rajonal që njihet si “mini-Shengeni” ballkanik, që sipas paralajmërimit të presidentit serb do të merr një emër të ri.
Zaev, Rama dhe Vuçiq do të nënshkruajnë dy memorandum dhe një marrëveshje ndërshtetërore që ka për qëllim për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe thjeshtimin e formaliteteve lidhur me importin, eksportin dhe lëvizjen mallrave, bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente.
Zaev, Rama dhe Vuçiq do të paraqesin një vizion politik dhe ekonomik për një rajon të integruar.
Forumi i Shkupit për Bashkëpunim Rajonal në Ballkanin Perëndimor do të tubojë më shumë se 300 kompani nga Maqedonia Veriore, Serbia, Shqipëria, dhe BeH, si dhe biznese tjera rajonale. Edhe në këtë takim Kosova nuk merr pjesë, sikur edhe samitet e kaluara mes Zaevit, Ramës dhe Vuçiqit.
Në një fjalim që mbajti në konferencën ndërkombëtare “Prespa Forum”, në Ohër më 2 korrik, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova refuzon pjesëmarrjen në nismën e mini-Shengenit pasi sipas tij rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian.