Marc Weller, profesor i njohur i së drejtës ndërkombëtare, ka shkruar një opinion të gjatë për mediumin “Koha.net”, në të cilin ka shpjeguar pikëpamjen e tij për marrëveshjen e Brukselit, ashtu siç ka kohë që njihet plani franko-gjerman.
Në artikullin e gjatë, Weller thekson se tashmë është hequr termi “vetëqeverisje”, e në vend të tij përdoret “vetëmenaxhim”.
“Neni 7, apo në fakt e gjithë Marrëveshja Bazë nuk e përmend fare termin Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe, madje me asnjë fjalë. Ky koncept tash është modifikuar me një diçka që tingëllon si një referencë modeste për “vetëmenaxhimin” për komunitetin serb në Kosovë. Në versionin përfundimtar të nenit 7, termi “vetëmenaxhim” e ka zëvendësuar fjalën “vetëqeverisje” që u gjet në versionin e parë të propozimit të Marrëveshjes Bazë, që i nënvizon funksionet më modeste që janë paraparë.” – vlerësoi ai.
Madje, në shkrimin e tij, z. Weller thekson se kjo marrëveshje bazë e qartëson çka nënkuptohet me vetëmenaxhim.
“Neni 7 është gjithashtu i dobishëm, ngase e qartëson se funksioni i koordinimit mes komunave me shumicë serbe ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve. Kjo do të thotë se fokusi i koordinimit është që të ofrohen shërbime brenda komunave anëtare, e jo politika të gjera që shkon përtej kompetencave teknike që u takojnë komunave.” – shkroi tutje z. Weller.
Në shkrimin e tij të plotë, z. Weller ka ofruar edhe pikëpamjen e tij rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.