Vendimin për hapjen e Urës së Ibrit që shënon ndarjen ndërmjet Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quajti veprim qëllimi i të cilës “është ta ngrejë Beogradin në luftë”.
Madje, sipas tij, “ky vendim nuk është i rastësishëm” që po ndodh para takimit më 2 maj në Bruksel. “Nëse kjo është poenta, për të na futur në luftë, unë nuk e kuptoj”, tha Aleksandar Vuçiq, derisa iu drejtua Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se “a nuk ke ndonjë ëndërr tjetër, që njerëzit të kenë paga më të larta se 450 euro”.
“Shko vizito Suharekën, Rahovecin dhe bëjë diçka për veraritë aty. Mos shkakto vetëm telashe”, i tha Vuçiq, Kurtit, derisa vendimin e shpejtë menjëherë pas zgjedhjeve për hapjen e Urës së Ibrit, ai e quajti “të çuditshme që bëhet një gjë e tillë para raundit të ri të dialogut më 2 maj”.
“Për këtë edhe u bënë këto zgjedhje, tash dikush të kalojë urën nga jugu për të votuar në veri”, tha mes tjerash ai, siç e cituan mediat serbe.