Komisioni për Çeshtje të Sigurisë dhe Mbrojtjes nuk ka qenë i informuar dhe nuk janë në dijeni për një vizitë të deputetit të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci dhe të ministrit të Infrastrukturës Liburn Aliu në Panama ku kanë marrë pjesë në një Forum për Siguri dhe Inteligjencë.
Kryetari i këtij komisioni, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha për Gazeta ka thënë se nuk ka qenë i informuar dhe nuk është në dijeni të një vizite të tillë.
“Nuk kam qenë i informuar dhe nuk jam në dijeni të një vizite të tillë.”, tha Berisha, i pyetur nëse Bajqinovci i cili është anëtar i këtij komisioni e ka informuar ose njoftuar për një vizitë të tillë.
Se nuk ka njohuri lidhur me këtë vizitë ‘misterioze’ të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrit të Infrastrukturës Liburn Aliu në Panama, ka thënë edhe anëtari tjetër i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Inteligjencës, Anton Quni.
“Jo nuk kam njohuri.”, tha për Gazeta , deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Quni.
Deputeti Bajqinovci, i cili është njëkohësisht vetëm anëtar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje ka qenë për një vizitë 4 ditore në Panama ku ka marrë pjesë në një forum të Sigurisë dhe Inteligjencës për dy ditë me radhë. Por, pyetja që ende nuk ka përgjigje është se pse ishte Bajqinovci i vetmi që mori pjesë nga Kuvendi i Kosovës dhe pse askush nuk ka qenë i informuar për këtë vizitë.
Në anën tjetër, pyetje qe ende mbetet pa përgjigje është edhe ajo se çfarë ka kërkuar në këtë vizitë në Panama, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, pasi ministria me të cilën ai udhëheq, nuk ka asnjë lidhje me forumin e mbajtur në Panama.
Për këtë vizitë në Panama, deputeti Mefail Bajqinovci kërkoi t’i mbulohen edhe mëditjet, derisa nëpërmjet një postimi në Facebook ai ka treguar edhe për çfarë mbahet ky forum dhe cili është qëllimi i tij.
Në përshkrimin e diskutimeve në këtë forum gjithashtu thuhet aty diskutohen kërcënime globale si krimi i organizuar, korrupsioni, terrorizmi, siguria kibernetike, investimet e huaja grabitqare, shpëlarja e parasë, ndarja e inteligjences e shumë tema të tjera.
Por, kur vjen puna tek krimet ekonomike, Panama njihet si vend me politika liberale bankare, ndërsa raporte të ndryshme të Agjencive të sigurisë në botë, përfshirë edhe CIA’n kanë thënë se atje depozitohen ‘paratë e fëlliqura’ që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor.