Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kërkuar nga deputetët të përkrahet miratimi i amendamentit kushtetues numër 27, i cili ka për qëllim përfshirjen në Kushtetutë të Konventës së OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Në seancën e sotme, e cila po mbahet vetëm për këtë çështje, ai ka thënë se respektimi i të drejtave të njeriut është i garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës.
“Respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut zbatohen ndaj të gjithëve pa dallim. Neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës liston instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që aplikohen drejtpërdrejt në sistemin tonë juridik dhe kanë supremaci mbi legjislacionin vendor”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova duhet ta miratojë këtë amendament.
“Të dashur deputetë sot po propozohet përfshirja e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë si amandament kushtetues. Pra, një e drejtë që është ndërkombëtarisht e njohur, të normohet edhe me Kushtetutën e Kosovës duke bërë amandamentimin e saj”, është shprehur ai, duke ftuar deputetët për miratimin e këtij amendamenti.
“Konventa e OKB’së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara fuqizon pasqyrën kushtetuese dhe ligjore për sa i përket mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fushat. Andaj, marrë parasysh sa i rëndësishëm është ky amandamentim, ju lutem dhe ju ftoj ta votoni këtë ndryshim kushtetues”, është shprehur Vitia.