Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pritet që të hënën të nisë 30 mostra për testim për në Laboratorin e Institutin e Virologjisë në Qendrën Klinike Universitare në Berlin të Gjermanisë.
Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosova, Drejtori i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare, Xhevat Jakupi. Ai ka thënë se këto mostra do të dërgohen për t’u testuar nëse i përkasin variantit Delta të COVID-19.
Por si manifestohet ky variant?
Varianti Delta vlerësohet se është afërsisht 60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, ose Kent. Ndërsa, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar këtë variant se variant shqetësues i cili mund të përhapet më lehtë.
Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëruan se varianti Delta është “gati të kapë” të gjithë Europën, pasi dhjetëra vende kanë hequr kufizimet.
Mediat e huaja raportojnë se njerëzit e infektuar nga varianti Delta kanë dy herë më shumë gjasa të përfundojnë në spital se sa ata të infektuar me variantin Alpha. Ndërsa, ashtu si versioni origjinal i këtij virusi, edhe varianti Delta është më i rrezikshëm për të moshuarit e personat që kanë probleme tjera shëndetësore.
Ndërsa, simptomat e infektimit me këtë variant janë të njëjta si ato të varianteve tjera: Ethe, kollitje, gulçim, lodhje, diarre, dhimbje koke e trupi./Botapress/