Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka akuzuar ZRrE-në se në vendimin për shtrenjtimin e rrymës ka përkrahur komentet e partisë në pushtet, Vetëvendosjes.
INDEP thotë se ZRrE ka rënë në kundërshtim me vetveten dhe me komentet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, raporton Gazeta Express.
“Ekzistimi i kufirit të bllokut tarifor deri në 600 dhe vendosja e një blloku shtesë mbi 1200 është arsyetuar mjaft mirë në Analizën dhe komentet që Instituti INDEP ka dorëzuar në ZRRE. Por, kjo e fundit, ka vendosur që duke dëmtuar hapur pavarësinë dhe profesionalizmin e vet, të përkrahë opsionin e partisë udhëheqëse, duke rënë në kundërshtim me vetveten, me komentet e INDEP dhe me komentet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë”, thuhet në reagimin e INDEP.
INDEP i ka bërë thirrje ZRrE-së që të rishikojë vendimin dhe të ofrojë zgjidhje nga prizmi profesional dhe jopolitik.
“I bëjmë thirrje Rregullatorit të pavarur të energjisë që menjëherë të rishikojë këtë vendim dhe të ofrojë zgjidhje nga prizmi profesional dhe jopolitik. Është koha e fundit që Rregullatori të shkëputet nga ndikimet politike shumëvjeçare dhe të krijojë një standard të vendimmarrjes profesionale. Duke hedhur poshtë vendimin e sotëm dhe duke ofruar zgjidhje të balancuar që tejkalon krizën në njërën anë dhe shtynë Kosovën drejt tranzicionit në anën tjetër, ZRRE ka shansin të dëshmohet si organ i pavarur dhe profesionist. Vendimi i sotëm dëmton tregun energjetik, profesionalizmin dhe pavarësinë e Rregullatorit. Vazhdon një avaz të vjetër të nxitjes së konsumit të mëtutjeshëm, dekurajimit të dekarbonizimit dhe bllokimit të tregut të Kosovës”, thuhet tutje në reagim.
Bordi i ZRrE-së ka marrë vendim sot që të shtrenjtojë energjinë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë orë. Vetëvendosje në komentet e dërguara në ZRrE kishte bërë propozimin që shtrenjtimi i energjisë të zhvendoset nga tarifa prej 600 në 800 kw/h./Express/