Komuna e Prizrenit e cila udhëhiqet nga kryetari Mytaher Haskuka nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, po i shpenzon paratë në vendimet që po i humb në gjykata.
Për dhjetë muaj, nga 1 janari deri më 31 tetor 2021, Komuna e Prizrenit nga vendimet gjyqësore ka humbur një pjesë të konsiderueshme të buxhetit. Fiks 4 milionë e 260 mijë euro është shuma që është paguar nga kjo komunë në emrin e pagesave të vendimeve të humbura gjyqësore, shkruan lajmi.net.
Pjesa më e madhe e pagesave i përket vendimeve gjyqësore që komuna ka humbur nga palët që kanë paditur Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Drejtorinë e Arsimit, duke konsideruar që u është bërë e padrejtë në realizmin e benefiteve të ndryshme.
Lajmi.net ka parë raportin e shpenzimeve buxhetore të Komunës së Prizrenit për dhjetë muaj të këtij viti dhe aty shihet se nga kategoria e pagave, për vendimet gjyqësore janë paguar 3,614,362.53 euro apo 16.81 për qind e totalit të pagesave për pagat.
Nga mallrat e shërbimet janë paguar 64,692.65 euro, nga shpenzimet komunale, 272.58 euro dhe nga shpenzimet kapitale, 580,636.01 euro, apo 2.83 për qind e buxhetit të kësaj kategorie, të cilat kanë të bëjnë me rastet që komuna ka proceduar kundërligjshëm në rastin e projekteve kapitale dhe palët e ndryshme kanë fituar rastet.
Drejtoritë që humbën rastet:
Nga Drejtoria e Arsimit, pagesat për vendimet gjyqësore janë bërë 3 milionë 171 mijë euro.
Nga Drejtoria e Shëndetësisë, pagesat për vendimet gjyqësore kanë marrë 12 për qind të buxhetit total të kësaj drejtorie, apo 476,023.05 euro.
Nga Administrata dhe Personeli, janë paguar 274.70 euro. Po nga kjo drejtori janë paguar edhe 20,167.54 euro, apo 3.08 për qind e buxhetit për Shërbimet e përfaqësimit dhe avokaturës. Nga Drejtoria e Inspekcionit janë paguar 43.66 euro.
Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje Civile, Emergjenca, vendimet gjyqësore, është paguar shuma prej 335,094.52 euro, apo 3.44 për qind e buxhetit total të kësaj drejtorie.
Nga Drejtoria e Planifikimt Urban dhe Mjedisit janë humbur 8,022.43 euro.
Në një nivel shumë të ulët janë edhe pagesat nga kategoria e investimeve kapitale, shpenzimi i të cilave është rritur në dy muajt e fundit.