Drejtuesit e institucioneve të Kosovës ende nuk kanë marrë asnjë masë ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas akuzave se është i përfshirë në skandalin financiar në Slloveni të publikuar në mediat sllovene. Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e ministrja Donika Gërvalla e kanë mbrojtur vazhdimisht Berishajn, edhe pse mediat vazhdimisht kanë publikuar fakte që e vërtetojnë përfshirjen e tij në mafian energjetike të Ballkanit.
Por, veç Martinit, institucionet e Kosovës po i respektojnë edhe familjarët e tij. Ata po ftohen pa pasur ndonjë pozitë apo rol në organizime të shtetit të Kosovës.
Së fundmi, vëllai i Martinit, Nikollë Berishaj, ishte ftuar në kremtimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Ambasadën e Kosovës në Mal të Zi, që drejtohet nga Ariana Zherka, një e emëruar e Donika Gërvallës.
Gazeta ka siguruar një fotografi ku Nikollë Berishaj shihet në festën e pavarësisë.Vëllai i ambasadorit të akuzuar për shpëlarje parash tregohet me shigjetë në këtë fotografi.Kjo është një fotografi e përbashkët e vëllezërve Berishaj.
Ndryshe, Berishaj është bërë pjesë e një skeme, ku para të dërguara nga një kompani serbe, transferoheshin tek një kompani tjetër malazeze, i dërgoheshin një politikani slloven dhe më pas dyshohet se përfundonin në disa fonde italiane ku investitorët e kishin të mundur të mbesnin anonimë.
Zbulimi i këtij skandali ka çuar në hetimin e politikanit slloven, Robert Golob, për shkak të dërgesave të parave nga dega e kompanisë energjetike GEN-I në Serbi, të cilat fillimisht shkonin në një kompani private të konsulencës, me alibinë se janë pagesa për këshillime.
Bëhet fjalë për kompaninë malaziase MB Consulting, pronar dhe punëtor i vetëm i së cilës është ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Shuma e zbuluar është rreth 600 mijë euro pagesa që GEN-I serb ia bënte kompanisë së Berishajt.
Berishaj më pas i tërhiqte ato para nga xhirollogaria e kompanisë së tij fiktive dhe fizikisht ia dorëzonte politikanit slloven.
Më pas ai i investonte në disa fonde që thuhet se janë italiane dhe janë të qasshme nga përdorues anonimë.
Berishaj ishte pyetur nga organet e Malit të Zi, por ai e kishte arsyetuar shumën e parave në kontot e kompanisë me një kredi që thoshte ta ketë marrë.
Tërheqjen e parave Berishaj e kishte bërë nga dy xhirollogari, zbulojnë mediat sllovene.
“197 mijë euro i ka tërhequr nga llogaria personale, ndërsa pjesën tjetër, 320 mijë, i ka tërhequr nga një llogari tjetër”.
Akoma nuk dihet se cili ishte denstinacioni final i parave, por pritet të kuptohet më shumë në ditët në vijim.
Sipas raportit të parë, ende nuk është zbuluar gjithçka dhe ka akoma dokumente të tjera që do të shpalosën. Martin Berishaj është shqiptar i Malit të Zi. Ai në zgjedhjet e fundit në Kosovë kishte mbështetur subjektet që janë tash në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Guxo. /Botapress.info/