Vedat Muriqi edhe zyrtarisht është huazuar te skuadra e La Ligas, Mallorca. Kjo u bë e ditur fillimisht nga klubi spanjoll, i cili e zyrtarizoi Muriqin me një formë unike.
Por, nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur edhe mesazhi i sulmuesit kosovar, i cili falënderoi tifozët e Lazios.
“Dua të falënderoj fansat e vërtetë të Lazios për besimin, përkrahjen dhe respektin që ma dhanë. Fatkeqësisht nuk arrita t’ua tregoj Vedatin e vërtetë mjaftueshëm brenda fushës. Faleminderit shumë që e bëtë Romën shtëpinë time për mua dhe familjen dhe që dhuruat dashuri për ne. Zemra dhe përkrahja ime do të jetë me ju për pjesën e mbetur të ligës. Me dashuri”, shkroi Muriqi në profilin e tij në Twitter.
27-vjeçari iu bashkua Lazios në vitin 2020, pasi shkëlqeu me Fenerbahcen, por nuk arriti të ambientohej në kryeqytetin italian.
Vedat Muriqi do të jetë pjesë e Mallorcas deri në fund të sezonit, kurse ekipi spanjoll do ta ketë të drejtën e blerjes, nëse ylli kosovar bind me performancat e tij.
Ai do të marrë pagën e njëjtë që e kishte në Lazio, e cila deri në qeshor do të paguhet nga Mallorca. /Gazeta Botapress.info/