Në qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti po vazhdojnë punësimet familjare e politike të njerëzve të afërm me zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, e një prej tyre është edhe mbesa e Albin Kurtit.
Jeta Tela, e cila është mbesa e Albin Kurtit është punësuar si shefe e Kabinetit e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ajo që nga data 27 mars po e ushtron këtë detyrë në MPB.
Lidhja e saj e afërt me familjen e kryeministrit Albin Kurti shpjegohet edhe me anë të një postimi ku ajo bën njoftimin për vdekjen e dajës së saj Dul Kurti, i cili ka ndërruar jetë rreth një muaj më parë në fshatin Sukubinë prej ku e ka prejardhjen edhe kryeministri Kurti.
Kohëve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka punësuar e ngritur në pozitë edhe nipa e mbesa të zyrtarëve të tjerë të partisë. Ishte fillimisht nipi i Besnik Bislimit i cili u punësua në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.
Në anën tjetër, mbesa e deputetit të Vetëvendosjes, Jahja Kokaj është avancuar në pozitë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. /Botapress/