Analisti Shkëlzen Gashi e ka ftuar në një përballje televizive Enver Hasanin, ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës, pasi replikat dhe kundërreplikat mes tyre po vazhdojnë tash e një javë, prej një interviste të Hasanit për Express të shtunën e javës së kaluar.
Gashi dhe Hasani u përfshin në një ballafaqim në distancë me njëri-tjetrin me debatin që e ka në qendër figurën e Xhafer Devës.
Lexo Edhe:
Gashi tha sot se Hasani, disa vite më parë, në dy raste kishte refuzuar përballjet në debat.
“E treta e vërteta: Enver Hasani, të lutem shumë, hajde në debat televiziv në emisionin ‘Pressing’ të autorit Leonard Kerquki dhe debatojmë për të gjitha. Merre me vete llaptopin dhe librat, ama librat lexoji paraprakisht”, tha ai.
Më parë, Gashi e quajti Hasanin “shërbëtor” të ish-regjimit, në një reagim ndaj deklaratës së Hasanit që e ndërlidhet figurën e Xhafer Devës me krimet e kryera nga nazizmi.
Enver Hasani tha javën e kaluar për Express se për herë të parë për krimin ndaj hebrenjëve të Kosovës ka dëgjuar nga Noel Malcolm, në vitin 1998, kur në pranverë të atij viti Hasani kishte bërë recnesionin e librit të tij mbi Kosovën.
Ai tha se krimi është bërë në kohën kur Xhafer Deva ka qenë ministër i Brendshëm.
“Unë për herë të parë për krimin ndaj hebrenjëve të Kosovës kam ndëgjuar nga Noel Malcolm, në vitin 1998, kur në pranverë të atij viti pata bërë recnesionin e librit të tij mbi Kosovën. Krimi është bërë në kohën kur Xhafer Deva ka qenë ministër i Brendshëm. Më vonë kam lexuar libra dhe recensione pafund që pohojnë të njejtën gjë, ndër të cilët më bindëset janë librat e David Motadel mbi Perandorinë nazist dhe Islamin, ku përfshihet Ballkani deti në detajet më të imëta. Recensioni im i librit të Noel Malkolm ka qenë i pari i llojit të vet, sepse është bërë akoma pa dalur në shitje libri i tij mbi Kosovën (një histori e shkurtër)”, tha Hasani.