Trajketorja e rritjes së çmimeve të produkteve bazë në Kosovë po vazhdon ende edhe në vitin 2023. Në mesin e produkteve esenciale që u shtrenjtuan është edhe rritja e çmimit të miellit. Kjo rritje e çmimit të miellit shihet edhe në raportimet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, e cila përditësohet pothuajse çdo ditë.
Krenaria e Kosovës: FSK parakalon para qytetarëve, foto nga sheshi i Prishtinës
Siç shihet në tabelën e ASK-së, 5 kilogramë të miellit në ditët e para të muajit janar ishin 3 euro e 71 centë, ndërsa tani janë rritur në 3 euro e 81 centë. Nëse e llogarisim, i bie që kilogrami i miellit aktualisht është 76 centë, saktësisht 10 centë më shtrenjtë se në janarin e vitit 2022 dhe plot 25 centë më shumë se në janarin e vitit 2021.
Pse po ndodhë kjo rritje e çmimeve?
Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci ka thënë se arsyeja e rritjes së çmimit të miellit është për pasojë se Kosova është e varur nga importi. Në një prononcim për gazetën Nacionale, profesor Rusinovci ka thënë se importi i miellit në Kosovë është shumë i madh, edhe për shkak të prodhimit të ulët të grurit.
“Arsyeja e rritjes së çmimit të miellit është për faktin se jemi të varur prej importit. Për çdo ditë kemi hyrje të lartë të miellit në Kosovë. Ka pasur një prodhim relativisht të ulët. Ka qenë 3.5 deri në 3.8 tonë për hektarë që është e pamjaftueshme ajo.” – ka thënë Rusinovci.
Tutje, Rusinovci deklaron se në bazë të informatave, në Kosovë janë 70 mijë hektarë me grurë, ndonëse ai dyshon në saktësinë e këtyre të dhënave.
“Sipërfaqja kultivuese me grurë sa është e vërtetë nuk e di, po thonë që i kanë 70 mijë hektarë, por unë dyshoj që janë ato sipërfaqe duke pasur parasysh sondazhet e terrenit. Sidoqoftë, ne jemi varur dhe vazhdojmë të varemi nga importi. Çdo masë stimulative në Kosovë që është e qëlluar të përkrahet bujqësia, me rezultat konkret nuk e ka dhënë. Ku është problemi, atëherë duhet ata ta gjejnë. A është të subvencioni i gabuar, a nuk e subvencionojnë produktivitetin, a po gënjejnë, a po i vjedhim apo keqpërdorime, mirëpo sidoqoftë ne me import nuk po përmirësohemi”, ka thënë ndër të tjera Rusinovci.
A ka Kosova miell mjaftueshëm?
Vetëm gjatë vitit 2022, sasia e importit të miellit në Kosovë ishte 13 milionë e 786 mijë e 505 kilogramë e 560 gramë. Së paku, kështu i tha Nacionales Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në një përgjigje zyrtare.
Ata kanë thënë se vlera e importit të miellit për këtë periudhë arriti në 6 milionë e 873 mijë e 259 euro e 71 centë. Sipas tyre, Kosova import nga shumë vende miell. Ndër vendet që e importon këtë produkt janë Shqipëria, Austria, Bosnja e Hercegovina, Belgjika e shumë vende të tjera, përfshirë këtu edhe Serbinë.
“Vendet në të cilat Kosova import miell janë Shqipëria, Austria, Bosnja e Hercegovina, Belgjika, Bullgaria, Emiratet e Bashkuara Arabe, Zvicra, Gjermania, Greqia, Hungaria, Kroacia, Italia, Maqedonia e Veriut, Rumania, Sllovenia, Serbia.” – thuhet në përgjigjen e tyre për Nacionale.
Teksa janë pyetur se a ka sasi të mjaftueshme të miellit dhe të grurit në Kosovë, ata kanë thënë se ka një sasi të konsiderueshme të miellit, ndërkohë që për grurë thanë se ka sasi të mjaftueshme.
“Kosova ka një sasi të konsiderueshme të miellit, ndërsa grurë ka sasi të mjaftueshme dhe gruri bëhet miell kur operatorët ekonomikë/deponuesit urdhërohen nga Autoriteti Kontraktues, në bazë të kontratave për deponim të grurit”, thuhet në përgjigjet e tyre.
Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), kanë thënë se sipërfaqja e korrë me grurë gjatë vitit 2022 ishte mbi 67 mijë hektarë. Në një prononcim për Nacionale, Ministria që udhëhiqet nga Faton Peci, deklaroi se në vjeshtën e vitit 2022 realizimi i mbjelljeve nga fermerët ka qenë pozitiv për shkak të kushteve klimatike të favorshme.
“Në verën e vitit 2022, sipërfaqja e korrë vetëm me kulturën e grurit ishte në total 67,509.91 Ha. Bazuar në raportet e siguruara nga drejtoritë Komunale për Bujqësi, në vjeshtën e vitit të kaluar janë realizuar mbjelljet me kulturën e drithërave në një sipërfaqe prej 71,008.20 ha. Duke pas parasysh kushtet klimatike të cilat mbizotëruan në vendin tonë në vjeshtën e vitit 2022, e të cilat ishin mjaft të favorshme, ndikuan pozitivisht në realizimin e mbjelljeve vjeshtore nga ana e fermerëve te vendit tonë. Këto kushte klimatike mundësuan që mbjelljet të realizoheshin deri në ditët e fundit të muajit nëntor”, kanë thënë nga MBPZhR-ja.
Tutje, Nacionale është interesuar edhe për çmimet e agroimputeve në periudhën e mbjelljeve vjeshtore 2022. Ata kanë pohuar se çmimi për kilogram të farës së grurit ishte nga 55 centë deri në 60 centë, i kilogramit të plehut artificial ishte 75 centë deri në 90 centë si dhe litra e derivateve për fermerët ishte 1 euro e 60 centë deri në 1 euro e 70 centë.
Nacionale ka kontaktuar edhe me Doganën e Kosovës për të njëjtën çështje, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Kujtojmë se, çmimi i kilogramit të miellit në vitin 2019 ishte 0.47 centë, ndërsa në vitin 2020 u rrit në 0.49 centë. Ndryshe, kosovarët që nga mesi i vitit të kaluar janë përballur me inflacion të lartë, përfshirë ngritjen e shportës së konsumit ditor, gjë e cila ua ka vështirësuar jetën.