Me moton “As edhe një më shumë!”, për 16 ditë është mbajtur fushata kundër dhunës me bazë gjinore në Kosovë. Kjo fushatë filloi pikërisht në ditën kur u vra një grua nga bashkëshorti i saj në Prishtinë. Gjatë kësaj periudhe ndodhi edhe vrasja makabre e gruas shtatzënë nga ish-burri i saj. Përveç këtyre rasteve të tmerrshme, ka pasur edhe dhjetëra ngjarje të trishta të dhunës në familjet kosovare, ku viktima kanë qenë gratë.
Vetëm në ditët e fundit, Gazeta ka raportuar në vazhdimësi për këto raste, ku në shumicën prej tyre kanë qenë gratë ato që kanë përjetuar dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët, por edhe nga anëtarët e tjerë.
Rrahet brutalisht 27-vjeçari në Gjilan, dy persona ia presin gishtat për 10 euro borxh
Detaje për këto raste
Gjatë ditës së djeshme, Policia në Prishtinë ka arritur të arrestojë një person që ishte denoncuar nga nëna e tij, e cila ka raportuar se i biri po ushtron dhunë psikike, duke i shkaktuar kështu shqetësim e frikë të madhe. I dyshuari, i cili është edhe përdorues i narkotikëve u kap dje dhe pas arrestimit është shoqëruar në stacion policor. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Një rast tjetër ka ndodhur po ashtu në kryeqytet, në rrugën “Fahri Fazliu”, ku këtë herë një nënë bashkë me vajzën e saj i kanë denoncuar djemtë/vëllezërit e tyre për dhunë në familje. Ata po dyshohen se kanë ushtruar dhunë ndaj motrës/nënës dhe për pasojë njëri prej tyre është dërguar në ndalim policor.
Edhe në rajonin e Gjakovës, janë raportuar disa raste së fundmi. Të hënën Policia ka arrestuar një burrë, i cili po dyshohet se ka sulmuar vajzën e tij, pas një konflikti që patën me njëri-tjetrin. Rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, në rrugën “Ali Ibra” në qytetin e Gjakovës, në orët e paradites. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa vajza është kthyer sërish në shtëpinë e saj.
Kurse rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një person është arrestuar, nën dyshimet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. I dyshuari është kapur gjatë ditës së djeshme, ndërsa ngjarja është raportuar para dy ditësh. Me rastin e intervistimit, i dyshuari e ka pranuar veprën për të cilën ngarkohet dhe më pas është dërguar në mbajtje me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Dje edhe në Prizren është arrestuar një person i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes. I dyshuari H.K., pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë, duke demoluar edhe gjërat e shtëpisë. Kjo ka bërë gruan e tij që të kërkojë ndihmën e Policisë. Si rezultat i denoncimit, i njëjti është arrestuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë./Botapress.info/