Komisionari Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varheli, gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian, dje, paralajmëroi mundësinë e përcaktimit të një udhërrëfyesi të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën. Nga njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare e opinionit, kjo ide po shihet si përpjekje për të “blerë kohë” deri sa vendet e BE-së të pajtohen për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Pritje që në Samitin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, mund të kishte ndonjë vendimmarrje konkret për liberalizimin e vizave për Kosovën, mbeten vetëm pritje të koti, javën e kaluar. E, përveç kësaj, si pasojë e skepticizmit të disa shteteve të BE-së, zyrtarë evropian po mendojnë të vendosin kushte shtesë për liberalizim.
Komisionari Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varheli, gjatë një fjalimit të mbajtur në Parlamentin Evropian, promovoi idenë për përcaktimin e një udhërrëfyesi të ri e me kritere shtesë për heqjen e regjimit të vizave. Kushtet shtesë mund të ndërlidhen me më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuara, trafikimit me qenie dhe kërkesat për azil, tha Varheli.
Nxjerrja eventuale e një udhërrëfyesi të ri për liberalizimin e vizave, mund të jetë një padrejtësi e radhës e BE-së, karshi Kosovës, vlerëson profesori universitar, Dorajet Imeri.
“Nëse kjo ndodhë, po flasim gjithmonë në situata hipotetike, më shumë duket së është një përpjekje për të blerë kohë, sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, në mënyrë që të pamundësohet trysnia ndaj Bashkimit Evropian, dhe në këtë mënyrë të shmanget edhe fakti se BE-ja po tregohet jo e sinqertë për një proces të tillë me Kosovën. Kjo mund të jetë ndoshta një kërkesë e shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të blejnë kohë”, tha ai.
Vendosjen eventuale të kushteve shtesë e sheh si padrejtësi edhe opinionisti, Artan Demhasaj, i cili po ashtu thotë për Radio Kosovën se nëse kjo ndodhë do të jetë vetëm përpjekje për të “blerë kohë”, deri sa të arrihet pajtimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Pse duhet Bashkimi Evropian edhe një herë me vendos kushte ekstra për Kosovën, derisa udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave që ka paraparë kushtet, Kosova i ka plotësuar të gjitha ato kushte. Madje janë marrë vendime nga institucionet e BE-së se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim dhe se vetëm duhet të merret vendimi në Këshill. Ky vendim nuk po merret për arsye të shteteve të caktuara. Prandaj, mendoj se Kosova nuk duhet të pranoj që edhe një herë me marrë kushte ekstra për liberalizim, sepse këtë nuk e ka bërë asnjë shtet që gëzon liberalizimin e vizave”, tha ai.
Ndërkohë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula thotë se Bashkimi Evropian aktualisht është në “luftë” me vetveten dhe ka mungesë serioziteti për një vendim për largimin e regjimit të vizave.
Kosova, prej vitesh ka plotësuar të gjitha 95 kriteret e vendosura nga BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim. E negociatat për heqjen e vizave me BE-në i kishte filluar në vitin 2012./Botapress.info/