U harrua-Kurti në 2018-ën: Trajtim dinjitoz për mësuesit, duke filluar nga pagat

Albin Kurti, parliamentary elections Prime Minister candidate and founder of the biggest opposition party Selfdetermination (Vetevendosje) attends an electoral rally in Mitrovica, Kosovo, 05 June 2017. Kosovo’s early elections will be held on 11 June 2017. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Derisa sot qeveria e Albin Kurtit nuk po i përkrah kërkesat e mësimdhënësve të cilet kanë hyrë në grevë që tri ditë, në vitin 2018 , Albin Kurti si lider i Lëvizjes Vetëvendosje kishte kërkuar trajtim dinjitoz për mësuesit. Veçanarisht kishte kërkuar rritje të pagave, kërkesë kjo që edhe sot po bëhet ndaj qeverisë por nuk po përfillet.

“Përjetimi im për 7 Marsin nuk ndryshon shumë prej të rriturve të tjerë, që e kujtojnë me mall fëmijërinë e tyre, me një nostalgji e respekt të thellë për mësuesen e parë e për të gjithë mësuesit e tjerë. Personalisht, pasioni dhe disiplina që kam për leximin e mësimin, dijen e studimin, më është mbjellur prej mësueses sime Nafije Deva jo më pak sesa prej nënës sime, gjithashtu një mësimdhënëse”, kishte shkruar Kurti në 2018.

Shkrimin e plotë i Albin Kurtit në vitin 2018:

Është edhe një përjetim historik, vlerësimi për mësuesit e parë, themeluesit e arsimit shqip në Kosovë, Shqipëri e troje të tjera, përulja ndaj atyre mësuesve e arsimtarëve që na kanë dhënë mësim në kushte shumë të vështira, në sistemin paralel që ndërtuam gjatë apart’heidit.

Por, përveç përjetimit personal, është e rëndësishme edhe detyra jonë ndaj mësuesve, si aktivistë të subjektit më të madh e më të votuar në Kosovë, që së shpejti do të qeverisë për të sjellë ndryshim.

Ne kemi për detyrë ta kthejmë vlerësimin shoqëror për rolin e mësuesit, në mënyrë që edhe studentët e shkëlqyer të kenë dëshirë që, së paku për disa vjet të jetës së tyre, të përfshihen në mësimdhënie.

Këtë do ta arrijmë duke vendosur një trajtim dinjitoz për mësuesit, duke filluar nga pagat. Së pari, paga e asnjë mësuesi nuk duhet të jetë nën mesataren e pagave të sektorit publik. Së dyti, asnjë pushtetar nuk duhet të paguhet më shumë se trefishi i kësaj mesatareje. Pra nëse do të kemi kryeministra në të ardhmen që duan t’ia rrisin rrogën vetes, së pari duhet t’i kushtëzojmë ligjërisht që të rritin rrogat mesatare, edhe ato të mësuesve.

Përveç rrogave, mësuesve duhet t’u japim edhe mision. Investimi i këtyre qeverive në arsim ka qenë fasada e mure shkollash. Ne do të kthejmë në shkolla shkencën e dijen, laboratorët, konkurset, olimpiadat. Misioni i shkollës dhe i mësuesit do të jetë krijimi i qytetarit të dijshëm e të ndershëm. Dhe këtij misioni do t’i jepet prioritet kombëtar.

Respekti për mësuesin nuk do të jetë opsional. Një shoqëri e cila nuk respekton këtë autoritet themelor, nuk respekton dot asnjë autoritet, dhe si rezultat nuk ka demokracinë por alternime të vazhdueshme mes anarkisë dhe despotizmit.

Duke mbajtur në mend këto detyra tonat, që do t’i jetësojmë në qeverisjen e ardhshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me falënderim e mirënjohje ua urojmë mësuesve Ditën e Arsimit Shqip, 7 Marsin./Botapress.info/.

ngjashme