Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madridit dhe një nga trajnerët më të trofeshëm në histori, është akuzuar se ka dëmtuar Spanjën me mbi 1 milion euro taksa të papaguara duke deklaruar pasuri të rreme gjatë viteve fiskale 2014 dhe 2015. Ai akuzohet se ka shkelur ligjin gjatë herës së parë kur drejtoi gjigantin spanjoll
Për këtë, Prokuroria e Shtetit spanjoll kërkon dënimin me 4 vjet e 9 muaj burgim për të. Ai akuzohet për dy vepra penale në dëm të buxhetit të shtetit spanjoll, shkruan Marca.
“Pavarësisht se gjatë asaj periudhe ai regjistroi vendbanimin e tij në Spanjë me një adresë në Madrid, dhe kështu duhej të përmbushte të gjitha detyrimet në vend, në deklaratat e tij tatimore ka deklaruar vetëm rrogën që ka marrë si trajner i Realit, ndërsa të ardhurat në bazë të të drejtave nga përdorimi i imazhit ua ka transferuar personave të tjerë. Këtë e ka bërë për të paguar më pak taksat”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës, Ancelotti nënshkroi kontratë personale më 1 korrik 2013, në të cilën ia transferoi të drejtat e përdorimit të imazhit kompanisë “Vapia Limited” për një periudhë 10-vjeçare dhe me një tarifë prej 25 milionë euro. Një ditë më vonë, ajo kompani e emëroi Ancelottin si përfaqësues të saj, duke “i lejuar atij fuqinë maksimale për të ushtruar të drejtat e imazhit”. Më vonë, në një datë të pacaktuar, një aneks i kontratës shkurtoi kohëzgjatjen në tre vjet, ndërsa çmimi i të drejtës së përdorimit të imazhit u ul në 1 milion euro.